Shtohet numri i të rinjve shqiptarë me kancer në mushkëri, mjekët: 80% e shkaqeve duhanpirja

800 raste të reja me kancer në mushkri janë zbuluar vetëm në vitin e fundit në vendin tonë. Mjekët pneumologë dhe ata onkologë japin alarmin se numri i rasteve ka ardhur në rritje, duke u renditur kështu kanceri i parë sa i takon vdekshmërisë, ndërsa nuk po kursehen as moshat e reja.

“Numri i rasteve është i barabartë me kancerin e gjirit, është një problem madhor për popullatën, zë vendin e parë sa i përket humbjes së jetëve. Nuk është një kancer ekskluziv i meshkujve”, thotë Arben Tanka mjek pneumolog në spitalin “Shefqet Ndroqi”.

“Fatkeqësisht është ulur mosha e diagnostikimit me sëmundje tumorale të mushkërisë, me herët ka qenë rreth 45-50 vjeç, aktualisht kemi pacientë nën 40 vjeç në stadet e avancuara 3 dhe 4”, tregon Jonida Tula, mjeke onkologe në spitalin “Shefqet Ndroqi”.

Faktorët që çojnë në kancer të mushkerive janë disa, por duhanpirja zë vendin e parë.

“Duhanpirja është shkaktari kryesor që bën dhe 80% të shkaqeve që shfaqin kancer mushkërie. Ka dhe faktor të tjerë siç është prezenca e gazit radon në shtëpi dhe ndotësit atmosferik me përbërje të asbesitit dhe hidrokarburet si dhe gjenetika. Ka statistika që thonë se një mungesë duhanpirjeje e redukton kancerin me 90% të rasteve”, shprehet mjeku Tanka.

Shqipëria ka shifrat me të larta të kancerit të mushkërive në raport me rajonin, po ashtu edhe sa i takon fataliteteve, ndaj mjekët apelojnë për kontrolle periodike dhe lënie të duhanit./Euronews

Author: horoscope