Në Shqipëri javën e parë të shkurtit u përkeqësua situata e pandemisë Covid-19. Vdekjet dhe infektimet e reja u rritën ndjeshëm, ndërsa vaksinat anti-covid ende nuk po mbërrijnë masivisht.
Një gjendje e nderë frike dhe pasigurie shihet në afërsi të spitaleve Covid në Tiranë, ku mbërrijnë gjithë të infektuarit nga qytetet e tjera dhe ku niveli i vdekjeve dhe shtrimeve ka njohur rritje nga fundi i janarit.
Auto-ambulancat e urgjencës hyjnë e dalin me të sëmurë, ndërsa familjarët rendin poshtë e lart me pako ushqimesh dhe pajisje të tjera, që u nevojiten familjarëve të tyre brenda pavioneve.
Të dhënat e 24 orëshit të fundit flasin për 14 vdekje të reja dhe 1 mijë e 124 infektime të reja në gjithë territorin e vendit, të shtruar në spitale 437 vetë.
Java e fundit e janarit shënoi një rritje të konsiderueshme të vdekjeve dhe infektimeve, ndërsa java e parë e shkurtit solli 5-15 vdekje në ditë si dhe 800 – 1 mijë e 100 infektime të reja të përditshme, ose një rritje prej 25 për qind.
Edhe të shtruarit në spitale kanë shënuar rritje të fortë, teksa janë shtuar dukshëm edhe infektimet në moshat e reja.
Ekspertët janë të shqetësuar se nga fillimi i muajit shifrat çdo ditë kanë shënuar rritje, rekord pas rekordi.
Ata pohojnë se realiteti i pandemisë Covid në Shqipëri është më i përkeqësuar se sa shifrat 25 për qind, që deklarojnë autoritetet shëndetësore.
Ndërsa zbulohen mbi 1 mijë infektime të reja në ditë, sipas tyre, gjendja është vërtet shqetësuese dhe nevojitet një shtim masiv i testimeve, për të zbuluar dhe ndihmuar shumë më tepër qytetarë të prekur se kaq.
Opozita publikoi sot shqetësimin e mësuesve për rritjen e infektimeve në shkolla, dhe ku, sipas saj, nuk janë marrë masa të sigurisë shëndetësore në shkolla; mësuesve nuk u bëhet testet, në shkolla nuk ka maska, alkoole apo dezinfektante as termometra.
Një tjetër pasiguri e konsiderueshme, krahas zgjerimit të hartës dhe numrave të infektimit, është edhe mungesa e vaksinave.
Deri tani në Shqipëri kanë hyrë vetëm 2 mijë e 140 vaksina, që u përdorën për mjekët dhe punonjës të shëndetësisë.
Ato janë një pikë ujë në hapësirën e nevojave dhe kërkesave të shumta që ka popullata, ku minimalisht presin radhën 600 mijë pensionistë dhe mijëra mësues e policë, pa përmendur grupmoshat e tjera.
Shqipëria ka vetëm në sistemin shëndetësor afro 4 mijë e 700 mjekë dhe mbi 12 mijë infermirerë. Për këtta 17 mijë punonjës shëndetësie nevojitet pjesa dërrmuese e vaksinave, që pritet të vijnë gjatë shkurtit.
Qeveria ka premtuar një vaksinim të popullatës brenda 14 muajve, bazuar në kontratat e furnizimit me vaksina, por ende ato nuk po mbërrijnë masivisht.
Zyrtarët pohuan se vonesa dhe pakësimi i dozave u shkaktua nga vështirësitë e furnizimeve në Europë.
Ndërsa, situata e pandemisë sa po vjen e po përkeqësohet dy javët e fundit. Në spitalet Covid humbën jetën 69 persona javën e fundit të janarit, dhe 80 të tjerë javën e parë të shkurtit.
Në 11 muaj humbën jetën mbi 1 mijë e 400 persona prej COVID dhe u infektuan mbi 84 mijë të tjerë./ VOA news 24