Xavi dhe Barcelona, një histori dashurie që ende nuk ka marrë po-në përfundimtare pas lamtumirës së ish mesfushorit nga futbolli i luajtur. Aktualisht trajner i Al Sadd, Xavi që është përfolur disa herë si shumë pranë stolit blaugrana, pranon në një intervistë motivet që e kanë shtyrë që të refuzojë plot dy herë marrjen e drejtimit të skuadrës katalanase.
“Për fat të mirë apo të keq, i kam thënë jo dy herë Barcelonës për shkak të rrethanave të ndryshme, familjare, personale apo kontraktuale, – pranoi Xavi duke shtuar, – Më duhet të them që për mua ka qenë shumë e vështirë pasi jam një “blaugrana”, por nuk ka qenë momenti i duhur”.
Ish futbollisti i Barcelonës gjithsesi nuk e mbyll derën për të ardhmen, teksa deklaroi: “Ajo që do të ndodhë do të ndodhë, do të vlerësojmë dhe do të shohim. Propozimet kanë ardhur vite më parë, thjesht nuk ishte momenti i duhur kur më thërriti Barca. Nuk ka ngut. Xabi Alonso deklaroi se dëshiron të bëjë trajnerin, por sipas mënyrën e tij dhe unë identifikohem te kjo shprehje”.