Sipas prokurorisë, Ernejt Shyti i riu nga Krraba, që ka vëlla binjak thuajse identik, u përpoq të fshihte identitetin e tij, pas vrasjes së Behar Sofisë. Në kamerat e sigurisë, ai shfaqet teksa çalon, por ekspertët zbuluan se ai ka improvizuar, pasi nuk ka defekte fizike.
Ky fakt është zbuluar jo vetëm nga ekspertët britanikë, që janë angazhuar në këtë çështje, por edhe gjatë një eksperimenti që është kryer në Policinë e Tiranës, ku Ernejt Shyti u vu të imitonte lëvizjet që kishte bërë ditën e vrasjes së beratasit, raporton News 24.
Prokuroria tha se bashkëpunëtorët janë zbuluar përmes celularit që ai la në xhupin që e përdori në vrasje dhe e hodhi pas krimit në një shkurre pranë kodrave të Liqenit.
Në celularin e tij, janë gjetur dy mesazhe. Sipas prokurorisë, është Leonar Xhixha, ai që i shkruan se shënjestra doli në rrugë. Atë moment Ernejt Shyti i afrohet Behar Sofisë dhe e qëllon me dy plumba për vdekje.
Pas krimit, ai shkon në Krrabë, ku është filmuar tek terminali i autobusëve, ndërsa të nesërmen pas ngjarjes, pajton një taksi dhe udhëton drejt Malit të Zi ku punonte si punëtor sezonal, madje së fundmi shtronte pllaka në aeroportin e këtij vendi.
Taksisti i dha prokurorisë detaje dhe iu rrëfeu bisedën që bëri me të. Si provë në gjykatë u paraqit edhe dëshmia e nënës, e cila sqaron se vetëm ditët e fundit, Ernejti përdori biçikletë.
Vetë i dyshuari e ka pranuar për hetuesit se biçikletën që përdori në vrasje, e kishte vjedhur.
Prokuroria është duke u përpjekur të “thyejë” Skëndër Vathin dhe ta bëjë bashkëpunëtor të drejtësisë, për faktin se dyshohet si personi që është kontraktuar nga të tretë për të organizuar vrasjen e Sofisë dhe në këtë mënyrë, është i vetmi që mund të japë detaje për urdhëruesit e krimit