Tri punëtore të një kanali televiziv afgan, janë vrarë të martën në dy sulme të ndara në rajonin Nangarhar. Zyrtarët lokalë i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se dy punëtoret e televizionit Enikass janë vrarë si pasojë të shtënave në zonën Zargaran më 2 mars.
Një grua civile është plagosur po ashtu në sulm. Një punëtore e tretë është vrarë po ashtu si pasojë të shtënave në zonën Qasbeh.
“Ato kanë qenë duke shkuar nga zyra në shtëpi, në këmbë, kur janë qëlluar”, ka thënë drejtori i televizionit Zalmai Latifi. Latifi ka thënë se gratë kanë diplomuar së fundmi dhe janë të moshave 18 dhe 20-vjeçare.
Ato është thënë se kanë punuar në departamentin e dublimit në atë televizion.
Ende askush nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin, i cili vjen pas vrasjes së prezantueses së këtij televizioni Malala Maiwand, dhe drejtuesit të makinës që ishte me të, në dhjetor të vitit të kaluar.
Grupi militant Shteti Islamik pati marrë përgjegjësinë për atë sulm.
Shefi i policisë së provincës Juma Gul Hemat ka thënë se sulmuesi i dyshuar është arrestuar dhe se është i lidhur me talibanët.
Mirëpo një zëdhënës i talibanëve ka thënë se grupi nuk është i përfshirë në këtë sulm./ REL