Ngjarja e djeshme, ku Amerika e madhe, dekoroi Ardian Dvoranin, me çmimin e sapo shpikur “Kampion i Anti-Korrupsionit dhe Transparencës”, lumturoi të madh e të vogël, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në rajon dhe më gjerë.
Dhe në kohën kur të gjithë po gëzonin, vetëm avokati ynë i ditur Spartak Ngjela, erdhi dhe u nxi i gjithi dhe një trishtim i madh e pushtoi.
Kjo gjendje, nuk e kishte kapur të shkretin avokat, që nga koha e lashtë, kur jetonte në burgjet e shokut Enver.
Kjo është arsyeja, pra ky trishtim i madh, që e detyroi korespodentin e rubrikës tonë satirike, Tej e Këtej, të nisej drejt avokatit tonë të ndritur, dhe t’i bënte këtë intervistë:
Korespodenti: Avokat i ditur, avokat i mençur, çfarë ka ndodhur që të shoh në këtë gjendje të mjeruar?! Kurrë s’të kemi parë kështu, në këtë gjendje.
Avokati i ditur: Nuk e sheh ç’po ndodh o korespodent i paaftë profesionalisht dhe i paformuar mentalisht?! E sheh ç’po i ndodh kësaj bote? A e pe ç’bëri Amerika e madhe? E mori çmimin tim dhe pa pikë turpi, i’a dha Dvoranit. Kam gjithë jetën time që luftoj për Amerikën, për demokracinë, për ta ndriçuar sadopak këtë botë primitive. Natë e ditë, në mes të këtyre injorantëve, më shkoi jeta, vetëm duke mbrojtur Amerikën! Dhe shiko çfarë shpërblimi mora! Harresë të plotë, injorim total! Marrin dhe i japin një devolliu që s’di të çajë as dru, çmimin më të lartë të botës, të prodhuar ditët e fundit. Si mund të ndodhë një gjë e tillë?! Si mund të dekorohet Ardian Dvorani me çmimin tim?!
Korespodenti: Po, a u ankove avokat? A fole me njeri përtej Atlantikut? Ndoshta duhet ndonjë apelim.
Avokati i ditur: Fola, si s’fola. Me FBI-në fola. Nuk u lashë gjë pa thënë. Si mund të vidhet çmimi im në këtë mënyrë, iu thashë. Si mund t’ja jepni gjënë e tjetrit një fshatari nga Devolli?!
Korespodenti: Po ata ç’thanë avokat?
Avokati i ditur: Mender tallën by***. Është kohë tranzicioni më thanë. Po transferohet pushteti nga Trumpi tek Biden. Pra, mua më gjetën të më bëjnë viktimë të rrethanave. Siç thonë edhe ata, jam dëm kolateral në këtë mes.
Korespodenti: Po si të dogjën kështu avokat?! Ta çuan të gjithë jetën dëm kolateral. Kushedi kur i vjen rradha që të lëshojë dekorata të tjera Amerika për Shqipërinë, se jeta nuk është dhe aq e gjatë avokat. Siç dihet, pas vdekjes është e sigurtë që të gjithë e marrim nga një dekoratë. Po ç’u pa puna! Kujt i duhet, kur nuk e sheh dhe nuk e prek sa je gjallë.
Avokati i ditur: Ç’të bësh o gazetar? Kështu është ndërtuar kjo botë. S’ka bythë që ta mbajë. Punon kali, ha gomari! Lufto unë për të ndërtuar SPAK-un dhe FBI-në e Shqipërisë, fito çmimin më të madh të Amerikës një devolli, që mban për mbiemër, emrin e fshatit. Turp i madh për Amerikën!
Korespodenti: Po për apelimin që të thashë avokat, nuk ka mundësi të bëhet?
Avokati i ditur: Po ç’farë apelimi flet, o korespodent i paaftë dhe budalla? Po ku ju del dot para atyre me apelim, o trutharë! Ku të apeloj, në Kinë të apeloj unë? Ne jemi një mizë, o idiot! Si mund t’i dalë miza përpara elefantit?! Nuk ka precedent o gazetar tuaf.
Korespodenti: Avokat i ditur, po ndoshta, ka mundësi, domethënë, është e mundur që kjo dekoratë, t’i merret Dvoranit dhe të të jepet ty. Tani unë tuaf jam, siç thua ti, por ndoshta me një ceremoni të thjeshtë, thirret Dvorani nga zonja Kim, jep dorëheqjen vetë, në prani edhe të Edi Ramës, i rrëmbehet çmimi dhe të jepet ty.
Avokati i ditur: Ç’thua o gazetar provincial? Po pse ky është shteti? Si mund të pranoj unë lëmoshë? Unë nuk kam pjerdhur në kohën e Enver Hoxhës dhe jo tani. Më ka thënë Kiçua i shkretë, njëlloj janë të gjithë. Edhe këta imperialistët amerikanë, një surrat kanë. Më kishte thënë i shkreti, por unë nuk i’a vura veshin…
Korespodenti: Po sikur avokat, ti themi njëherë këtij Ilir Metës, se ky nuk ka turp, ndan dekorata me shumicë. I themi dhe të jep dy-tre përnjëherë edhe ty.
Kjo pyetje ishte shumë interesante, por avokati nuk e dëgjoi, sepse ishte larguar dhe në ecje e sipër vazhdonte të përsëriste me zë të lartë fjalët: “Më kishte thënë Kiçoja, por unë nuk e kisha dëgjuar…”.
/TPZ.al/ Tej e Këtej..