“Të mos humbim kohë”, mjeku infeksionist bën THIRRJE: Vendi në situatë të vështirë, të ashpërsohen masat kufizuese!
VIDEO
TIRANË– Mjeku infeksonist Profesor Doktor Arben Pilaca mendon ndryshe nga Komiteti Teknik i Ekspertëve të Shëndetësisë që la në fuqi të njëjtat masa për të kufizuar përhapjen e koronavirusit në Shqipëri dhe apelon për ashpërsim të tyre.
Shkollat, baret, restorantet dhe transporti publik janë vendet më të përshtatshme sipas mjekut për përhapjen e sëmundjes, të cilat duhen mbyllur.
“Mbyllja duhet pa humbur kohë. E restoranteve, e kafeve, e transportit publik. Por dua të bëj një sqarim të vogël këtu, nuk bëhet fjalë për shkolla vetëm në ambiente shkollore, ju kuptoni transporti që çohet fëmijët nëpër shkolla…Epidemiologë të famshëm këtë kanë parë, transportin për në shkollë sesa shkollën.”
Vendi sipas mjekut infeksionist po kalon situatën më të vështirë që nga fillimi i pandemisë dhe nëse nuk ndërhyhet me të tjera shtrëngime shumë shpejt spitalet do të vendosen në vështirësi.
“Besoj që do na vënë në pozicione të vështira. Do vijë një moment si teoria e gotës që është e mbyllur dhe do të derdhet. Ndoshta është vonë por asnjë herë nuk është vonë që të ndërhymë me masa. Besoj që pranvera dhe klima shqiptare do të na ndihmojë që të na ndihmojnë që të shkojmë sa më butë drejt menaxhimit të situatës.”
Një përmirësim të situatës së koronavirusit në Shqipëri mjeku infeksionist Arben Pilaca mendon se do të kemi në muajin maj.
Marre nga VOA
(kle.mu./dosja.al)