Albin Kurti vendosi ti kthejë zgjedhjet e 14 shkurtit në referendum dhe e fitoi atë. Triumfi i tij nuk ishte ai i një njeriu të vetëm kundër të tjerëve, por humbja e përbashkët e të gjithë atyre që iu kundërvunë një vullneti të gjërë popullor për ndryshim.
Në këtë kuptim, simboli i kësaj të diele të Shën Valentinit ka një rezonancë shumë më të madhe se ai i një rotacioni të thjeshtë pushteti, i rikthimit të drejtësisë dhe mirë qeverisjes, apo i fillimit të ç’kapjes së shtetit.
Ai është njëkohësisht një test dhe një shpresë, për gjithë rajonin tonë, që nga Tirana e në mbarë vendet e atij që për konvencion jemi mësuar ta quajmë si Ballkani perendimor. Dhe kjo për disa arsye…
Të mësuar me rotacione që nuk pjellin ndryshim, rrallë kemi parë që një elitë që ka zënë rrënjë, që ka krijuar përreth saj klientelën financiare, ka uzurpuar një pjesë të mirë të shoqërisë civile dhe mediave, të arrijë të përmbyset me zgjedhje. Natyrisht ka ndodhur dikur në Beograd, kur opozita e kohës me në krye Zoran Xhinxhiqin hodhi poshtë pushtetin e Millosheviçit. Ngjau edhe tani së fundi në Podgoricë, kur një koalicion laraman partish e nxori në opozitë vllazërinë e përjetshme të Gjukanoviçit.
Por të dyja rastet, sado të suksesshme të kenë rezultuar, kanë qenë në thelb lëvizje anti.
Risia e Vetëvendosjes është se ajo mbart me vete një alternativë dhe një projekt. Ajo ka një koherencë ideore, një këndvështrim për botën, një propozim për shoqëri më të drejtë dhe më të barabartë, që e ka shpënë në një rritje galopante në katër palë zgjedhje, duke e çuar progresivisht nga 13% në 2014, në fitoren e shumicës sot.
Ajo ka qenë dhe vazhdon të jetë tejet kritike me dogmën neoliberale të tranzicionit postkomunist, që krijoi një kastë të pasanikësh të kamur padrejtësisht, përmes privatizimeve të egra, krijimit të monopoleve dhe konkurencës fiktive. Ajo e ka luftuar këtë model, që edhe në Kosovë ashtu si në të gjithë rajonin, ka prodhuar shumë papunësi, pabarazi dhe emigrim masiv drejt shteteve më të pasura që aplikojnë politika më sociale.
Pikërisht për këtë qasje, një grup prej 77 intelektualësh të së majtës botërore, me në krye Slavoi Zhizhekun, bënin thirrje për të votuar këtë herë Vetëvendosjen, si një alternativë ndaj paradigmës neoliberale përballë të cilës duhet të rreshtohen të gjithë ata që përbëjnë frontin kundër saj.
Modeli që mbron VV, ai që Kurti e lexoi në progarmin e qeverisë së parë, për “kthimin e sensit të barazisë në shoqëri”, është një refren i padëgjuar në këto anë. Po ashtu zotimet për të qenë një kabinet për mbrojtjen e punëtorit dhe mos lejimin e shfrytëzimit të orëve të tij të punës, tingëllojnë si herezi në një mjedis ku kryeministrat e tjerë i ftojnë investitorët që të derdhin paratë në një vend ku nuk ka sindikata.
Edhe zotimi për shkrirjen e agjensisë së privatizimit për të krijuar Fondin Sovran, që do të menaxhojë pasuritë e Kosovës, apo krijimi i Bankës Zhvillimore që do të financojë sektorët produktivë të ekonomisë, që nxisin punësimin, janë praktika të patestuara më parë.
Ato së bashku premtojnë një shoqëri më të ndershme, më të drejtë, më pak të polarizuar, shkurt më të mirë dhe më të jetueshme.
Pra, rëndësia e referendumit, apo e revolucionit me votë që prodhuan zgjedhjet e 14 shkurtit nuk është vetëm tek zotimet standarte që premtojnë kudo opozitat, ato për çrrënjosjen e korrupsionit, largimin e hajnave, apo mbylljen e kapitullit të klanit pronto. Ai nuk është as thjeshtë ndëshkimi i një klase politike të pa aftë e të prapambetur, që i mbush boshllëqet e saj me servilizmin proverbial ndaj të huajve. Ai nuk mund të reduktohet as me largimin e atyre që udhëhiqnin sipas parimit: “ju votoni, ne vendosim”.
Jo dhe jo. Thelbi i tij është se ai propozon zëvendësimin e një modeli shoqëror, me një të ndryshëm. Prandaj ajo që është duke ndodhur në Prishtinë nuk ka rëndësi vetëm për Kosovën. Ai është një test për gjithë Ballkanin perendimor. Ai vlen si një provë për të parë nëse shteti i vërtetë social mundet ti japi fund eksperimetit shkatërrimtar neoliberal që po kopjohet kudo njësoj, që pas rënies së komunizmit. Ai ka rëndësi për të kuptuar nëse rotacioni i prodhuar nga zgjedhjet gjen dot forcën për të ndryshuar dhe politikat.
Në këtë sens, ajo që po ndodh këto ditë është e pa precedent. Më shumë sesa për të sotmen ajo ka vlerë si një perspektivë për të ardhmen e të gjithëve ne.
Prandaj kundërshtarët e realë të Albin Kurtit dhe Vetëvendosjes nuk janë, as kasta e vjetër që ai i ka mundur, as ata që do e luftojnë me ç’do mjet, madje as liderët e tjerë të rajonit që po e vëzhgojnë me çudi dhe frikë rritjen e pa imagjinueshme që ka realizuar, duke besuar në qëllime dhe mjete krejt të ndryshme nga të tyret.
Armiku real i Albinit do të jetë kryeministri Kurti.
Rreziku i vërtetë i tij do të jetë tradhëtimi i revolucionit të arritur me votë, në emër të sirenave që ftojnë çdo kënd për të menduar vetëm për jetëgjatësinë e pushtetit.
Askush sot nuk mund të vërë bast, nëse në rastin e Kosovës, profecia e Orruellit se të gjitha revolucionet përfundojnë në një dështim, do të përgënjeshtrohet. Askush nuk mund të dalë garant se as ne, nuk do të përjetojmë para syve tanë, lëngatën e turmave të frikësuara nga tradhëtia e liderit, të cilën e përshkruan aq bukur Malaparte.
Por edhe pa këto këto siguri absolute, sërish, ajo që po ndodh këto ditë është e pa krahasueshme. Qoftë edhe vetëm si mirazh, apo qoftë edhe vetëm si ftesë, që na bën të ëndërrojmë dhe të diskutojmë për një shoqëri të ndryshme, fitorja e Vetëvendosjes ka vlera historike. Prandaj le ta shijojmë këtë datë që na dëshmoi se shpresa për dyshim nuk ka vdekur. Por bashkë me të, të nesërmen e festës, le të përgatitemi të jemi edhe gardianë të vlerave dhe parimeve që na sollën deri tek ajo, duke e mbrojtur atë me çdo kusht, madje dhe nga vetë Albini po qe e nevojshme. /lapsi.al/