SPAK godet grupin kriminal që trafikonte kokainë dhe marjuanë në Norvegji. “Kapoja” drejtonte bandën nga Shqipëria!

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të organizuar ka arrestuar ‘kapon’ e një rrjeti të struktura të trafikut të lëndëve narkotike, kryesisht kokainë dhe marjuanë, të cilat i dërgonte në shtetin e Norvegjisë.

SPAK bën të ditur se në bashkëpunim me autoritetet gjyqësore Norvegjeze ka vënë në pranga shtetasin F.P, i cili drejtonte grupin e strukturuar kriminal, i cili operonte në Norvegji.

 

Në njoftimin e SPAK theksohet se “ I hetuari F. P. ka arritur gjithashtu që të krijojë një rrjet shpërndarësish të lëndëve narkotike (kryesisht kokainë dhe mariuhana) në përbërje të të cilit janë shtetas shqiptarë, por edhe persona me shtetësi jo shqiptare.

Të ardhurat e siguruara nga aktiviteti kriminal i trafikimit të lëndëve narkotike dërgoheshin tek shtetasi nën hetim F. P. dhe referentët e tjerë të tij me anë të agjencive të transferimit të parave apo edhe cash”.

Njoftimi i plotë i SPAK:

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në datën 20.12.2019 ka regjistruar procedimin penal nr.132 të vitit 2019, për veprat penale të “Trafikimit të narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal dhe “Pastrim të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, të parashikuara nga nenet 283/a, 287, 333/a dhe 334 të Kodit Penal.

Ky procedim penal u regjistrua mbi bazën e informacioneve dhe akteve të dërguara nga Autoritetet Gjyqësore Norvegjeze. Rezultatet e arritura gjatë hetimeve të këtij procedimi penal janë produkt i bashkëpunimit të shkëlqyer ndërmjet Prokurorisë së Posaçme dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit me Autoritetet Gjyqësore Norvegjeze. Nga hetimet e kryera u grumbulluan të dhëna se:

Shtetasi shqiptar F.P. ka krijuar dhe drejtuar një grup të strukturuar kriminal i cili bënte të mundur që të dërgonte sasi të ndryshme me lëndë narkotike (kokainë dhe marihuana) në Norvegji, sasi këto që shiteshin nga përfaqësuesit e tij në këtë shtet.

I hetuari F. P. ka arritur gjithashtu që të krijojë një rrjet shpërndarësish të lëndëve narkotike (kryesisht kokainë dhe mariuhana) në përbërje të të cilit janë shtetas shqiptarë, por edhe persona me shtetësi jo shqiptare. Të ardhurat e siguruara nga aktiviteti kriminal i trafikimit të lëndëve narkotike dërgoheshin tek shtetasi nën hetim F. P. dhe referentët e tjerë të tij me anë të agjencive të transferimit të parave apo edhe cash.

Me kërkesë të Prokurorisë, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr.81 datë 16.10.2021 ka vendosur:

Caktimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues të “arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, ndaj shtetasit F.P., si i dyshuar për kryerjen e veprave penale të “Trafikimit të narkotikëve”, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Prodhimit dhe shitjes së narkotikëve”, kryer në bashkëpunim në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal, “Pastrim të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Krijimit të grupit të strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 283/1, 283/a/1, 287/1/2, 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal.

Caktimin ndaj të hetuarës A. A. të masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale, si e dyshuar për kryerjen e veprave penale të “Prodhimit dhe shitjes së narkotikëve”, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Pastrim të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Krijimit të grupit të strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 283/1, 28/4, 287/1/2, 333/a dhe 334 të Kodit Penal.

Gjithashtu, dhe Autoritetet Gjyqësore Norvegjeze kanë caktuar masën e sigurimit “arrest në burg”, ndaj disa personave të cilët dyshohen se janë pjesë e të njëjtit grup të strukturuar kriminal.

Në datën 20.10.2021, në dakortësi me Autoritetet Gjyqësore Norvegjeze dhe në të njëjtën orë, Policia e Shtetit ka ekzekutuar masën e sigurimit ndaj shtetases A. A., ndërsa është proceduar me nxjerrjen e një urdhër kërkimi ndërkombëtar për shtetasin F.P. Ndërkohë edhe autoritetet gjyqësore norvegjeze kanë proceduar me ekzekutimin e masave të sigurimit dhe ushtrimin e kontrolleve në territorin e tyre.

Në zbatim të vendimit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit realizoi kontrollin e disa banesave dhe kontrollin personal të disa shtetasve në qytetet Tiranë dhe Lezhë. Gjatë kontrollit u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale dokumente të ndryshme me interes për hetimin.

Prokuroria e Posaçme, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit janë duke kryer të gjitha verifikimet e nevojshme dhe hetimin financiar për të gjithë personat e përfshirë në këtë aktivitet kriminal.

Author: admin