Komiteti Teknik ka vendosur që masat kufizuese të shtrihen po ashtu në shkolla dhe universitete.
Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu bëri me dije se në qytetet e prekura më shifra më të larta infektimesh, si Tirana, Durrësi, Fieri etj, mësimi do të aplikohet vetëm online deri në 26 shkurt.
“Nisur nga rritja e rasteve të infektimeve të reja në grupmoshën 15-24 vjeç, shkollat e mesme do të aplikojnë skenarin e tretë, pra atë online ne zonat e riskut të lartë, ku përfshihen bashkitë: Tiranë, Fier, Vlorë, Berat, Durrës, Gjirokastër, Lezhë, Lushnje, Pogradec dhe Kamëz, për periudhën 11 shkurt – 26 shkurt”- tha Manastirliu.
Më tej u ndal edhe te universitetet. Ministrja tha se do të shtyhet sezoni i provimeve. “Sezoni i provimeve për universitetin do të zgjatet, për të siguruar kombinimin e provimeve online dhe në auditor, për lëndët që kërkojnë prezencë, sipas vlerësimit të MASR, duke zbatuar rreptësisht protokollet AntiCovid”, tha ajo.
Këto masa do të jenë në fuqi për 2 javë duke nisur nga dita e nesërme 11 deri në 25 shkurt dhe nuk do të ketë asnjë tolerim nëse ato shkelen.