Në 25 prill shqiptarët do të zgjedhin për herë të parë përveç partisë edhe kandidatin që ata duan t’i përfaqësojë në parlament. Por socialistët preferojnë që fleta e votimit të ketë numra që përfaqësojnë secilën kandidaturë, ndërsa demokratët kërkojnë vendosjen e emrit të në fletën e votimit. Damian Gjiknuri arsyeton se fleta e votimit duhet të jetë e thjeshtë, por demokrati Oerd Bylykbashi thekson se, Kushtetuta i jep të drejtën qytetarëve të zgjedhin kandidatin për deputet dhe këtë parim duhet të reflektojë fleta e votimit.
Qëndrimet e palëve
Për herë të parë në 25 prill, shqiptarët nuk do të votojnë vetëm për partinë, por dhe për emrin që ata dëshirojnë t’i përfaqësojë në Kuvend. Debati është përqendruar tek fleta e votimit, ku socialistët preferojnë që kandidatët të identifikohen me numra, ndërsa demokratët kërkojnë vendosjen e emrit të në fletën e votimit. Damian Gjiknuri i Partisë Socialiste thotë se fleta duhet të jetë e thjeshtë. “Një kolonë mund të ishin partitë dhe subjektet dhe kolona, blloku tjetër mund të ishin qartësisht numrat ku do të identifikoheshin dhe të gjitha partitë listën e tyre do ta kishin publike, votuesit do ta kishin të qartë. Sepse nëse emrat janë të shkruar në mënyre të tille që nuk i lexon njeri apo do te ishte e mbushur me shume zgjidhje brenda një kolone shume të ngushtë, atëherë do të kishim një konfuzion shumë të madh e do të kishim probleme shumë të mëdha me vlefshmërinë e fletës së votimit”, u shpreh Gjiknuri.
Ndërsa demokrati Oerd Bylykbashi përdorimin e numrave e sheh si tentativë për të inkriptuar listën e hapur. “Është përpjekje për ta shifruar, për ta inkriptuar listën e hapur, për t’ia bërë shqiptarëve akoma më të mbyllur atë që ne kërkuam të ishte një listë realisht e hapur. Kjo është shumë e thjeshtë nuk duan që shqiptarët të kenë mundësi të votojnë potencialin e kandidaturave të opozitës që nuk kanë asgjë që të krahasohen me kandidaturat e korruptuara të qeverisë”, thekson Bylykbashi.
Shembulli i Tiranës
Ndërkaq, Gjiknuri i referohet listës së Tiranës për të ilustruar pse vendosja e emrave në fletën e votimit kthehet në problem. “Nëse do të kemi shumë subjekte zgjedhore plus fleta e Tiranës që është me 36 kandidatë, sepse aq janë mandatet, kjo do ta bënte të vështirë nga pikëpamja e administrimit për mendimin tim, sepse qëllimi i ligjvënësit kur ka formuluar dispozitën e ka bërë në mënyrë të tillë që do të mundësonte KQZ që të bënte një fletë të tillë që edhe të identifikohej vota e kandidatit por njëkohësisht të mos krijonte konfuzion”, u shpreh deputeti socialist.
Por si përgjigje për këtë Oerd Bylykbashi ofron shembullin e Holandës. “Po ju jap shembullin e Holandës, Holanda me një proporcional kombëtar në fletën e votimit, një parti ka të gjithë listën e kandidatëve për parlamentin holandez, janë të gjithë me emra, kështu është në Belgjikë, po kështu është në të gjithë vendet që përdorin listën e hapur”, deklaroi Oerd Bylykbashi.
Vota e emigrantëve
Dy hartuesit e reformës zgjedhore, komentuan edhe votën e emigrantëve. Gjiknuri, pranon se procesi nuk mund të zhvillohet në krejt vendin, por sipas tij ka ende kohë për projekt pilot. “Bllokimi i votës së emigrantëve ndodh për shkak të dështimit të qeverisë për ti regjistruar emigrantët, janë vetëm 800 vetë më të drejtën e votës e nuk mund të funksionojë sistemi me kaq, e para. Se dyti mënyra e aplikimit të emigrantëve nuk jep asnjë lloj sigurie që adresa që ata deklarojnë është adresa individuale zyrtare që emigrantët kanë në shtetin përkatës dhe nuk është klubi i dikujt në Athinë apo në romë ku mblidhen 100, 200 vota që më pas manipulohet vota.”, tha deputeti i PS-së, Damian Gjiknuri. Ndërsa ish-ligjvënësi i PD-së është i prerë kur thotë se nuk ka kohë. “Zgjidhja më e mirë do të ishte një numër i vogël siguron një lloj integriteti më të madh e llogaridhënie më të madhe që edhe në rastin e një problem apo defekti, nuk ka ndikim në rezultat”, u shpreh Oerd Bylykbashi. /Ora News