Mungesa apo tepria e jodit në organizëm mund të bëhet shkak për komplikacione shëndetësore. Dy janë hormonet kryesore me bazë jodi që prodhon tiroidja, të cilat njihen si T4 dhe T3.Mungesa e hormoneve të tiroides në organizëm shoqërohet me:
- Lodhje
- Përgjumje
- Apati
- Gjendje emocionale e rënduar
- Shtim në peshë
- Rrahje të ngadalta të zemrës
- Lëkurë dhe flokë të thatë
- Kapsllëk etj.
Pamjaftueshmëria e hormonit të tiroides te fëmijët shkakton vonesë në zhvillimin fizik dhe mendor, defekte në të folur dhe në dëgjim, ulje të përqëndrimit, vështirësi në të mësuar, paralizë etj. Ndërsa te gratë shtatzëna, mosmarrja e jodit në sasinë e duhur mund të sjellë si pasojë dështimin, lindje të parakohshme, lindje nën peshë etj.E ndryshme situata kur kemi tepricë të hormoneve të tiroides. Personat që kanë vlera të shtuara të këtij hormoni janë hiperaktivë, mendojnë dhe flasin shpejt, bëjnë veprime tepër të nxituara, janë intolerantë ndaj të nxehtit, kanë rrahje të shpeshta të zemrës, djersitje të lartë, rënie në peshë, etj.Shqipëria është një vend i varfër me jod dhe ky është një problem për të gjithë vendin. Studimet e fundit të Institutit të Shëndetit Publik kanë treguar se më tepër se gjysma e popullsisë kanë mungesë të jodit në organizëm. Ndaj përveç ushqimeve që përmbajnë jod (prodhimet e detit, patatja, hurma, speci, domatja, etj), rekomandohet të përdoret gjithmonë kripa e jodizuar. Çrregullimet e tiroides mund të prekin të gjitha moshat, por më së shumti janë të rrezikuara ato madhore dhe kryesisht të seksit femër. Moskurimi në kohën e duhur shoqërohet me pasoja të rënda në organizëm, deri edhe të rrezikshme për jetën.Ndaj nëse keni disa nga simptomat e lartpërmendura duhet patjetër të konsultoheni me mjekun endokrinolog për të diagnostikuar dhe mjekuar patologjitë që lidhen me tiroiden.