Vetëm përgjatë 5 ditëve të fundit janë 71 persona që kanë ndërruar jetë si pasojë e COVID-19. Të dhënat zyrtare tregojnë se janë 1,531 persona që kanë ndërruar jetë që prej fillimit të pandemisë.
Por vërtetësia e këtyre shifrave është vënë në pikëpyetje nga opozita, e cila ka akuzuar qeverinë për fshehje të rasteve fatale. Kjo përforcohet edhe më shumë nga të dhënat e regjistrit të gjendjes civile.
Sipas këtij institucioni, përgjatë vitit që lamë pas janë shënuar 6 mijë humbje jete më shumë në raport me vitin 2019.
Një tjetër tregues janë edhe raportet tremujore të INSTAT. Ndërsa ishte njoftuar që statistikat e tremujorit të fundit (tetor-nëntor-dhjetor) do të publikoheshin në datën 12 shkurt, një gjë e tillë nuk ka ndodhur.
INSTAT nuk ka pasqyruar këto të dhëna duke shtuar dyshimet që situata me humbjet e jetës si pasojë e COVID-19 të mos jetë kjo që raportohet nga autoritet.
FATALITETET
Sa u takon të dhënave për 24 orët e kaluara, të premten, sipas ministrisë, kanë ndërruar jetë 14 persona.
“Me gjithë përpjekjet e stafit mjekësor, 14 qytetarë e kanë humbur betejën me COVID-19 në spitalet COVID.
5 qytetarë nga Tirana, 2 qytetarë nga Durrësi, 2 qytetarë nga Elbasani, 2 qytetarë nga Mati, 1 qytetar nga Kavaja, 1 qytetar nga Korça, 1 qytetar nga Kruja, të moshave 40-82 vjeç”. Ndërkohë, vijon të rëndohet situata në spitalet COVID, ku numri i të shtruarve ka shkuar në 502, prej tyre 33 në terapi intensive, nga të cilët 19 pacientë janë të intubuar.
RASTET E REJA
Sa u takon rasteve të reja, nga 3982 testime të kryera kanë rezultuar të infektuar 1059 qytetarë.
Pjesa më e madhe e rasteve pozitive janë në Tiranë, ku janë regjistruar 363 raste të reja.
Një numër të konsiderueshëm personash të infektuar janë raportuar edhe në Elbasan, Kavajë, Lushnje, Berat dhe Kuçovë. tpz.al