Mjeku Tritan Kalo nuk ka pranuar të mbajë më mbi supe peshën e vendimeve të orareve të kufizimit të lëvizjes së qytetarëve.
Në një status në Facebook, mjeku ka thënë se ka pasur abuzim me funksionin e Komitetit të Ekspertëve, që shpesh është përdorur nga politika si një mburojë për vendimet e vëna në diskutim nga mjekët apo ekspertët e shëndetësisë.
“Bëhet fjalë për një Komitet KËSHILLIMOR dhe jo VENDIM-MARËS sikundër pothuajse përditë abuzohet nga ekzekutivi dhe opozita….Këshillat e udhëzimet e këtij Komiteti ekspertësh që funksionon mbi bazat e VULLNETARIZMIT, më pas diskutohen e kalojnë filtrin ligjor, ekonomik e social pëpara se mbi bazën e tyre të meren VENDIME nga EKZEKUTIVI…Ndaj duhet përfundimisht të kihet e qartë prej kujtëdo se, Komiteti këshillon, Ekzekutivi vendos…. MOS ABUZONI me togfjalëshin se “Komiteti i Ekspertëve vendosi që…” Jepini Çezarit atë që i përket atij….E thënë shkurtazi e qartazi….” ka shkruar mjeku ditën që qeveria vendosi të vendosë kufizimin e orarit në orën 20:00, pra dy orë më herët.
Vendimet për lëvizjen e lirë gjatë pandemmisë kanë qenë shpesh të atakuara, por kryeministri Rama ia ka lënë përgjegjësinë Komitetit të Ekspertëve.