Kryeministri Edi Rama, ka folur për një sërë çështjesh në konferencën për shtyp të ditës së sotme, ku është ndalur edhe tek rishfaqja në publik e Fatos Nanos.
Kryeministri bëri një rrëfim melodramatik të punës së tij të përditshme, duke e përshkruar si mjaft të vështirë dhe duke deklaruar se është jashtëzakonisht i vetmuar në “majën e pushtetit”. Rama tha se vetëm Fatos Nano mund ta kuptojë vetminë e madhe që ai ndjen dhe se i kërkon atij këshilla të herëpashershme.
Me këto vuajtje që thotë se ka përjetuar në krye të pushtetit, është shumë e habitshme që Edi Rama, po investohet me të gjithë mjetet për të fituar mandatin e tretë, në vend që të dalë në pension dhe të largojë këtë vetmi të tmerrshme…
Ja çfarë thotë kryeministri për hallet e veta dhe për rolin e Fatos Nanos:
“Unë me Fatos Nanon kam një marrëdhënie që është shumë e bukur sot, sepse nuk ka në mes asnjë interferencë nga loja e shahut politik, mes aktorëve. Ai me vullnetin e tij, është çuar nga tavolina e shahut dhe ka zgjedhur të tërhiqet me një dorëheqje pas një fushate elektorale. Për mua, Fatos Nano është një pikë referimi, në sensin që ai ka qenë këtu ku jam unë sot dhe duke qenë i zhveshur nga interesat dhe nga dinamikat e brendshme të imponuara tek çdo aktor që është në tavolinën e shahut, ka të gjithë eksperiencën dhe qetësinë për të më dhënë opinionet e duhura ku ja kërkoj.
Jam unë që kërkoj opinionet e tij, jo ai që ofrohet kur unë nuk ja kërkoj.
E vërteta është që diferenca është se ai nuk e ka patur një paraardhës me eksperiencën dhe talentet e duhura për të nxjerrë përfundime për të ndihmuar pasardhësin. Unë e kam, është aset, fat dhe kënaqësi, që të kesh mundësi të komunikosh me ata që e kanë patur këtë detyrë përpara dhe që mund të të ndihmojnë me opinionet e tyre.
Vetëm kush ka qenë këtu, e di çdo të thotë vetmia e majës, askush tjetër nuk e kupton. Të gjithë ata që nuk e kanë jetuar majën, kujtojnë se në majë bëhet qejf. Kujtojnë se në majë mbretërohet dhe çdo gjë shkon fjollë dhe jepen urdhëra dhe kundrohet jeta. Në majë je vetëm dhe erërat fryjnë në të katër anët. Kur duhet të marrësh vendimet kyçe, të gjithë të tjerët që ke në krah dhe bashkëpunon çdo ditë, nuk ekzistojnë, jo se nuk duan, ata aty janë, japin opinionet, por në fund je vetëm ti që duhet të marrësh vendimin” .tpz.al