Dy të rinj, 28 dhe 33 vjeç, janë arrestuar nga Policia në Tiranë pasi kanë kërcëunuar një person tjetër me qëllim që t’i merrnin para. Ngjarja ka ndodhur në një lokal në kryeqytet.
“U bë arrestimi në flagrancë për veprën penale “Shtrengimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë” të shtetasit Z. M., 28 vjeç si dhe u procedua në gjendje të lirë për veprat penale “Kanosja dhe “Vetëgjyqësia” shtetasi M. S., 33 vjeç, pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin, për motive të dobëta, dyshohet se kanë kanosur për dhënien e pasurisë shtetasin A. Th”, njofton Policia.
Më tej, Blutë e Tiranës bëjnë me dije se kanë proceduar në gjendje të lirë dhe pronarin e lokalit ku ka ndodhur ngjarja, pasi nuk ka pranuar t’iu jepte efektivëve të Policisë pamjet e kamerave të sigurisë.
“Në vijim të veprimeve u procedua në gjendje të lirë për veprën penale “Mosbindja ndaj udhërit të punonjësit të policisë shtetasi A. D., 46 vjeç, pronar i një lokali, pasi nuk i është bindur urdhërit të punonjësit të policisë për marrjen e pamjeve filmike për ngjarjen e ndodhur lartpërmenduar në lokalin e tij.”
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.