Për çfarë e pyesin shqiptarët kryeministrin e tyre?

Për çfarë e pyesin shqiptarët kryeministrin e tyre?

 

Nikoleta Kovaçi

Në fakt Edi Rama, jo vetëm si kryetar i partisë së vet dhe të vetmes parti në pushtet, me të gjitha pushtetet e mundshme, ka kohë që e ka nis fushatën! Tashmë, i gjendun në pozita të fuqishme ekonomike dhe jo vetëm, ai ka nis turet nëpër Shqipni, duke sulmue ashpër këdo që nuk asht nan kthetrat e tij politike, ekonomike dhe kriminale. I gjetun në një gjeografi të favorshme katastrofale herë natyrore e herë të sajueme prej tij e pushteteve mafioze që kanë kap për fyti vendin, ai luan me gjithë gurët e mundshëm për tu hedh në mandatin e tretë qeverisës. Edhe pse ai e di shumë mirë që qeveritë e tij gëluan e gëlojnë nga krimi e korrupsioni, abuzimi e poshtërimi, degradimi e refuzimi i çdo të neserme europiane për vendin, sërish kërkon vijimin drejt një pushteti edhe më autokrat.

Sigurisht jo vetëm për vete dhe egot e tij të sëmura për të qenë pasues i idhujve të vet diktatorë, por ai sërish iu hedh shqiptarëve teza mjerane, herë në 3D e herë me propozime e përbetime se ai asht shpëtimtari i vetëm i këtij vendi. Po shqiptarët, ata që takohen me të, për çfarë e pyesin kryeministrin e tyne? Çfarë i kërkojnë përveç një vendi pune, një dashakeqësie për ata që s’janë si ata, për ndonjë kockë të lënë diku nga ai dhe mafia e drogës, betonit dhe e PPP-ve në këtë vend?

A i kërkojnë ndonjëherë se:
-përse nuk e zbardhi vrasjen e bankierit Artan Santo?
-përse nuk i kapi rrëmbyesit, vrasësit dhe zhdukësit e Dodë Prengës?
-përse nuk i çoi në pranga autorët e vrasjeve të katër demonstruesve dhe plagosjes së shumë të tjerëve me 21 janar të 2011-s?
-përse nuk e zbardhi vrasjen e deputetit Fatmir Xhindi?
-përse nuk u gjet ende Enver Stafuka?
-përse nuk zbardhet vrasja e biznesmenit Paulin Gjergji?
-përse nuk gjenden vlonjatët e zhdukun nga beteja për drogën?
-përse nuk gjenden shkodranët e rrëmbyer ditën për diell?
-përse ministrat e tij janë të implikuem në trafiqe gjithfarësh?
-përse deputetët e tij dalin në përgjime të huajsh?
-përse vendi asht nën thundrën e betonit?
-përse vendi asht i gjithi nan pushtetin e grupeve të drograve?
-përse nuk u dha ndihma shtetërore familjeve të rrënueme nga tërmeti?
-përse s`ka ekipe në terren për përmbytjet?
-përse u çuen në litar kryefamiljarë që s’patën paratë me pague energjinë elektrike?
-përse i tall e i përçmon shqiptarët në çdo dalje publike? Etjjj

Sigurisht, mbase ju që shkoni në takimet e tij, s`keni asnjë të vramë, asnjë të zhdukun, keni shtëpi e katandi si pasojë e pranisë zvarritëse sa herë i duheni kryeministrit dhe jeniçerëve të tij. Po ashtu kini në punë, në zyrë, në doganë, kufi, apo kudo ku vidhen shqiptarët njerëzit tuaj. Krenoheni me arritjet e burrit, gruas, djalit dhe vajzës që janë më të zotët se ata që tërmeti i rrënoi, uji i mbuloi, mafia i shkatërroi dhe dinjiteti nuk i la të ishin të barbaratë në barbarinë që sundoi prej 8 vitesh këtë vend! Ama, secili prej jush e njeh një Nanë që pret te pragu i shpisë me i ardh djali i zhdukun; një babë që ende kërkon gjurmët e vrasësve të thelbit të vet; një grua që vajton rrëmbimin e babës së fëmijëve të vet! Të gjithë e njihni dikë që s’ka çati ku e fut kryet e vet e të fëmijëve të vet; të gjithë e njihni dikë që sot s`mundet me dalë nga shpia e tij, ashtu siç s`mundet me ndejt në shpinë e vet nga frika e ujit!

Të gjithë i njihni dhe i dini këta njerëz; janë tanët!

Meqë e prisni, sa gajaseni me talljen që ju ban sa herë iu has, bëjani edhe ndonjë nga këto pyetje! Ani pse do iu denigrojë, do iu vërsulet bashkë me ata që i trajton si qenër, ju të paktën njëherë në jetën tuaj, tregoni se jeni njerëz dhe në krah të njerëzve!

Author: admin