Mëngjesin e 2 marsit në spitalin rajonal të Elbasanit, një pacient rreth të 70-ave po nxirret nxitimthi nga shërbimi i Imazherisë, i mbartuar nga dy djemtë e tij me ndihmën e disa çarçafëve. I moshuari me frymëmarrje të rënduar nga virusi Sars-Cov-2 po niset me urgjencë drejt Tiranës, por mes stafit mjekësor mbizotëron tensioni.
“Më duhet më shumë oksigjen, nuk më mjafton kaq pak për rrugës,” thërret mjeku që po përgatit ambulancën. “Do të më vdesë pacienti rrugës për në spital.”
Ambulanca ndez sirenat dhe niset me shpejtësi, vetëm pasi sigurohet një bombul e lëvizshme oksigjeni. Ndërsa jashtë në oborr, me dhjetëra familjarë presin lajme për të afërmit e tyre, brenda në spital mjekët janë në kufijtë e ezaurimit.
“Kam një vit që po heq të zinjtë e ullirit. Mos më pyet për punën e shtuar se e di si jam tani, të shpërthej në të qarë,” thotë Anjeza Dajlani, mjekja e vetme infeksioniste dhe njëkohësisht shefja e pavionit COVID në spitalin e Elbasanit.
“Vetëm gjumin mund ta bëj 5 orë në shtëpi edhe rikthim prapë këtu,” shtoi ajo, ndërsa nxitoi për të monitoruar një pacient.
Ndonëse Ministria e Shëndetësisë e përqendroi luftën zyrtare kundër koronavirusit të ri në katër spitalet COVID të Tiranës, një betejë në hije u udhëhoq nga mjekët e spitaleve rajonale dhe bashkiake – shpeshherë në thyerje të protokolleve dhe në kushtet e mungesave të theksuara në staf dhe pajisje mjekësore.
Prej një viti, këto spitale u autorizuan që të kryejnë triazhimin e pacientëve të dyshuar si dhe të prisnin pacientët post-COVID, që kishin ende nevojë për oksigjen dhe kujdes shëndetësor.
E megjithatë, një duzinë mjekësh dhe drejtuesish të spitaleve rajonale dhe bashkiake pranuan se i kishin tejkaluar këto udhëzime për të ofruar shërbim –e madje ishin përballur edhe me intubime dhe vdekje në spitalet e tyre.
E pyetur për rolin e spitaleve rajonale gjatë pandemisë, Ministria e Shëndetësisë tha se përveç spitaleve të Elbasanit, Durrësit dhe Shkodrës që trajtonin pacientë me COVID-19, të tjerët kryenin triazhimin dhe trajtonin pacientët post-COVID.
Ministria e Shëndetësisë nuk iu përgjigj një kërkese të dytë për koment lidhur me trajtimin e një numri të konsiderueshëm pacientësh nga spitalet e paautorizuara për të kuruar rastet me COVID-19.
‘Doktor, ma mbaj këtu babën’
Shërbimi spitalor në vend përbëhet nga 5 spitale universitare, 11 rajonale dhe 24 spitale bashkiake, por barrën kryesore të trajtimeve dhe ndërhyrjeve e mban historikisht Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë.E megjithatë, për herë të parë në tre dekada, spitalet rajonale dhe bashkiake u gjendën nën presionin e kërkesave për të mos i transferuar drejt Tiranës pacientët e infektuar me COVID-19.
Përpara hyrjes së spitalit rajonal të Shkodrës, kjo reportere dëgjoi një grua rreth të 40-ave teksa fliste në telefon në gjendje thuajse të dëshpëruar.
“Doktor, të lutem ma mbaj këtu babën. Nuk dua ta çoj në Tiranë, e dua këtu të sigurtë, se Tirana të vdes,” thotë ajo me lot në sy. “Më thuaj sa lekë do doktor, të lutem”!
Kërkesa të tilla të dëshpëruara janë thuajse të zakonshme në dyert e spitaleve jashtë Tiranës, ku shpërthimi 1-vjeçar i pandemisë duket se e ka zbehur edhe më tej besimin tek sistemi shëndetësor.
Në funksion të këtij shkrimi, pacientë dhe familjarë të tyre thanë se e kishin refuzuar Tiranën për shkak të izolimit të pacientëve nga familjarët e tyre si dhe nga vështirësia e aksesit tek mjekët. Disa vetëvrasje të ndodhura në Sanatorium mes pacientëve me COVID-19 si dhe rastet e denoncuara të korrupsionit ndikuan gjithashtu në mungesën e besimit.
Një grua në mesomoshë thotë se është e kënaqur që i shoqi u trajtua në Shkodër, kohë përpara se spitali të hapte zyrtarisht pavionin COVID.
“Më mirë që u trajtua këtu, se spitalet e Tiranës kanë shumë fluks dhe normal që kujdesi s’është njësoj, plus që këtu i njohim paksa edhe mjekët.
Por edhe për pacientin është më mirë, pasi na lejonin për vizita dhe kam dëgjuar që kjo sëmundje e gjitha është tek psikologjia, ndaj nuk e zgjodha si opsion Tiranën,” shtoi ajo.
Në nëntor 2020, edhe Gjystja e shtroi të shoqin për gati dy javë në spitalin rajonal të Lezhës, ndonëse ky i fundit nuk ishte autorizuar që të kuronte pacientë me COVID-19.
“Bashkëshorti im është 48 vjeç dhe nuk ka sëmundje të tjera, e megjithatë qëndroi i oksigjenuar dhe nën trajtimin e mjekëve në Spitalin e Lezhës gjatë muajit nëntor. Më mirë këtu, se kur e sheh vetë është më mirë. Edhe pacienti ndjehet më mirë psikologjikisht,” tha ajo, duke shtuar se ishte e vetmja nga familja që iu lejuan vizitat.
Drejtuesit e spitaleve rajonale të Shkodrës, Korçës, Vlorës dhe Peshkopisë lanë të kuptohej se nuk ua kishin mbyllur dyert pacientëve të infektuar me COVID-19, ndonëse udhëzimet e Ministrisë i autorizonin që të kryenin vetëm vizitat e urgjencës ose trajtimin e pacientëve post-COVID. Ata e justifikuan këtë me këmbënguljen e pacientëve për të qëndruar si dhe të drejtën e tyre për të marrë shërbimin e kërkuar shëndetësor.
Së paku në tre raste, mjekët e spitaleve rajonale në Vlorë dhe në Peshkopi janë përballur edhe me intubime dhe fatalitete të pacientëve me COVID-19. Nuk është e qartë nëse raste të tilla të hospitalizimeve, intubimeve apo vdekjeve janë reflektuar në raportimet ditore të Ministrisë, të cilat rridhnin kryesisht nga spitalet COVID.
Drejtori i spitalit rajonal të Shkodrës, Ardian Dajti tha se kishin trajtuar pacientë që donin të qëndronin afër familjarëve.
“Rastet që kemi pas me COVID, kanë preferuar të qëndrojnë këtu, pasi janë më afër familjarëve. Dhe këta të fundit i kemi lejuar, nuk është që kemi pas bllokim të vizitave,” tha Dajti.
Në spitalin rajonal të Korçës janë trajtuar mbi 1 mijë pacientë gjatë pandemisë, me një mesatare prej 7-10 urgjencash në ditë. Drejtori i këtij spitali, Litian Broka tha përmes telefonit se të shtruar kishin pasur pacientë post-COVID ose në pritje të tamponit, por ai shtoi se spitali kishte punuar sipas logjikës së mjekësisë.
“Ne kemi marrë trajnimin dhe kemi të gjitha medikamentet e mundshme dhe punojnë sipas logjikës së mjekësisë, ndërsa për zyrtarizimet i di ministria pastaj,” tha Broka.
Drejtoresha e spitalit rajonal të Vlorës, Bruna Mersini kujton rastet e dy pacientëve që kishin mbërritur në gjendje terminale dhe që kishin ndërruar jetë vetëm pak minuta pas intubimit.
“Pas intubimit nuk kemi arritur dot t’u bëjmë as ekzaminimet, se për pesë minuta intubim kanë humbur jetën. Nuk quhen si persona të intubuar, pasi kanë qenë për momentin fatal që kanë ardhur. E gjitha ka qenë një procedurë për t’i dhënë një shans, nëse do ta fitonin betejën,” tha ajo.
Mersini e konsideron të pakuptimtë mohimin e shërbimit për pacientët e infektuar me COVID-19, vetëm sepse spitali nuk është COVID.
“Asnjëherë nuk mund t’i mohosh të drejtën që të thuash meqë unë nuk jam spital covid, do të të mohoj të drejtën për të ndenjur në spital, se kjo nuk bën sens. Nëse ai kërkon që të rrijë në spitalin e Vlorës, do të rrijë në spitalin e Vlorës,’ shtoi ajo.
Spitali rajonal i Dibrës ka mbetur tashmë me një mjek pneumolog, pasi mjeku tjetër dhe nëndrejtori i spitalit, Ibrahim Kaziu, ndërroi jetë si pasojë e koronavirusit më 25 nëntor 2020.
Kaziu zgjodhi të trajtohej në spitalin ku punoi prej një jete, por nuk ia doli të fitonte betejën me COVID-19.
“U trajtua tek ne, por që kishte edhe sëmundje bashkëshoqëruese, diabet. Nëndrejtori ka qenë i intubuar, pas 8 ditësh fiks e kemi futur në intubim, ka ndenjur dy ditë i intubuar dhe pastaj nuk ia doli dot për arsye se vuante nga diabeti,” thotë drejtori i spitalit të Peshkopisë, Artan Bitri.
Ndryshe nga rasti i Dr. Ibrahim Kaziut, Bitri shtoi se në spital kishin mbajtur vetëm rastet e lehta me koronavirus. Ai iu shmang pyetjes nëse ishin përballur me raste të tjera vdekjesh.
“Nuk i di të gjitha, pasi janë ca shërbime të tjera që merren me këto, se iu kam dhënë pak si shumë informacion, apo jo?” tha Bitri.
Përkundër dëshmive të pacientëve, drejtuesit e spitaleve të Gjirokastrës dhe Lezhës mohuan të kishin trajtuar pacientë me COVID-19, përveç rasteve të triazhimeve dhe të pacientëve post-COVID.
Mungesa mjekësh dhe pajisjesh
Shpërthimi i pandemisë së koronavirusit të ri në mars 2020 i gjeti spitalet rajonale dhe ato bashkiake me poste minimale oksigjeni si dhe me një numër të kufizuar të pajisjeve të terapisë intensive dhe respiratorëve.
E megjithatë, mungesa më e madhe i përket aseteve njerëzore kryesisht në specialitetin e mjekëve infeksionistë, por edhe pneumologë dhe reanimatorë -të domosdoshëm në trajtimin e pacientëve me COVID-19.
Sipas një studimi të kryer nga shoqata “Together for Life”, gjatë periudhës së pandemisë, 11 spitalet rajonale kishin së bashku 54 specialistë të sëmundjeve infektive, 82 pneumologë dhe 135 punonjës të kujdesit intensiv.
Të dhënat e siguruara në fillim të marsit tregojnë se në tre spitalet rajonale të Elbasanit, Durrësit dhe Shkodrës ishin të shtruar 115 pacientë, por spitalet kishin së bashku 5 mjekë infeksionistë dhe 9 mjekë pneumologë në dispozicion të tyre.
Investimet kryesore përgjatë një viti të pandemisë janë fokusuar tek linjat e oksigjenit, të cilat rezultonin më parë në masën 10-30%. Në përgjigje të kërkesave për të drejtë informimi, Ministria e Shëndetësisë dhe spitalet rajonale thanë se i kishin plotësuar kapacitetet e oksigjenit në masën 100%.
Spitalet rajonale thanë se me ndihmën e Ministrisë së Shëndetësisë kishin shtuar edhe pajisjet e terapisë intensive si dhe respiratorët –pa dhënë numrat e saktë të tyre.
Ministria e Shëndetësisë tha se kishte rritur me dy herë pajisjet jetëshpëtuese në terapinë intensive nga 200 respiratorë në 507 respiratorë –pa saktësuar se sa prej tyre kanë shkuar për spitalet rajonale.
Të dhëna kontradiktore u siguruan edhe për numrin e shtretërve në dispozicion të pacientëve të infektuar në pesë spitalet rajonale –pjesë e skenarit të parë të hapjes së pavioneve COVID.
Ministria e Shëndetësisë tha se ishin në gatishmëri 600 shtretër, por pesë spitalet rajonale të përfshira në skenarin e parë të hapjes kanë aktualisht në dispozicion të pacientëve me COVID-19 vetëm 399 shtretër, ose 34% më pak nga sa deklarohet.
Drejtori i spitalit të Shkodrës, Ardian Dajti tha se shpërthimi i pandemisë i kishte gjetur të painformuar, por periudha e karantinës i ndihmoi që të merrnin masat e duhura. Dajti thotë se spitali i tij mund të përballojë deri në 90 pacientë, por shtoi kapacitetet konsumohen edhe nga trajtimi i pacientëve post-Covid.
“Gjithnjë ka qenë skenar që ne mund të hapeshim. Atëherë pamë që oksigjeni konsumohet, ndaj unë këtu kam dyfishuar kapacitetin e oksigjenit depozitues,” tha Dajti.
“Pacientët post-covid janë më tepër problem aktualisht. Çfarë do të thotë kjo? Që një pacient pas 14 ditësh del negativ, por mund të jetë i sëmurë dhe të ketë nevojë për oksigjen. Këtu kemi vënë në dispozicion 30 shtretër, që kemi çuar edhe postet e oksigjenit,” shtoi ai.
Edhe spitali rajonal i Durrësit po përballet me vështirësi me fluksin prej 60 pacientësh me COVID-19, por drejtoresha Nadire Jani tha se stafi ia ka dalë deri më tani me sukses.
“Ne po ia dalim, me gjithë këtë ngarkesë që ka personeli është i mrekullueshëm. Asnjë ditë s’tha që u lodha,” tha Jani në një bisedë telefonike.
Spitali rajonal i Korçës ka aktualisht 3 mjekë pneumologë, 1 infeksionist dhe 2 reanimatorë, të mjaftueshëm sipas drejtorit Broka vetëm për të bërë triazhin. Broka tha se kishte në dispozicion 78 poste oksigjeni, por kjo nuk mjafton për trajtimin e një numri të lartë pacientësh.
“Nuk mundet që një spital rajonal të mbajë sasi personash, se duhet të përshtatet për këtë punë,” tha Broka. “Nëse vijnë ekspertët e ministrisë dhe kërkojnë më shumë, mund të rregullohen ato parametrat, nëse duan më pak, më pak, megjithëse linjat e oksigjenit janë të përshtatshme,” shtoi ai.
Drejtoresha e spitalit të Vlorës, Bruna Mersini tha se janë gati për t’u hapur zyrtarisht dhe se linjat e oksigjenit ishin të plota përmes një investimi të mëparshëm.
egjithatë, ajo shtoi se nevojitet ende një investim minimal për të vendosur pajisjet me linjat ekzistuese të oksigjenit.
Por ndryshe nga drejtuesit, mjekët theksojnë vështirësitë nga stafi i paktë i specializuar si dhe nga mungesa e përvojës në përdorjen e aparaturave të posaçme.
Nadire Suma, shefe e pneumologjisë në spitalin Rajonal të Shkodrës u ankua për numrin e vogël të mjekëve në përballimin e situatës si dhe në problemet që jep skaneri herë pas here.
Nga tre mjekët pneumologë të shënuar në organikë, dy punojnë në dispanseri dhe vetëm një në spital, por të gjithë janë të angazhuar tashmë në monitorimin e pacientëve me COVID.
Shefja e pneumologjisë nuk ngriti shqetësime për mungesë respiratorësh, por për mungesën e përvojës në përdorimin e tyre.
“Tek infektivi kemi pasur respiratorë, mirëpo ky repart nuk e ka aftësinë me e mbajt pacientit në respirator. As ne nuk dimë me thënë të drejtën, s’i kemi përdorur,” tha ajo.
Sipas kryeinfermierit Paolo Kaceri të spitalit të Shkodrës, tre reanimatorët janë gjithashtu të pamjaftueshëm për përballimin e situatës në spitalin rajonal të Shkodrës.
“Gjithsecili prej nesh e ka me kod pune që të punojë 40 orë në javë, gjithsecili prej tyre e stërkalon normën e punës në repartet ku punojnë, sidomos në këtë kohë. Nuk janë të mjaftueshëm, sesi spital rajonal ne duhet t’i përgjigjemi 300 mijë banorëve,” thotë Kaceri.
Kryeinfermieri fajëson eksodin e mjekëve dhe infermierëve për mungesat e sotme në spital.
“Ne kemi qenë 6 studentë që kemi hyrë në punë në vitin 2013 dhe sot vetëm unë rezultojë të jem në punë. Janë larguar të gjithë nga Shqipëria, mjekë e infermierë,” shtoi ai.
Në spitalin rajonal të Durrësit –qyteti i dytë më i madh pas Tiranës, peshën e pacientëve me COVID-19 e mban mjeku i vetëm infeksionist, Beqir Gelaj, i cili është përfshirë familjarisht në betejën kundër pandemisë.
“Çdo ditë e kalojmë 12-orarëshin, e lëmë punën në 6-7-10 darkës,” tha Gelaj, ndërsa shtoi se nuk kishin zgjidhje tjetër veçse t’ia dilnin. “Nuk e prisnim dhe as nuk e kishim menduar që do të vinin ditë të tilla pandemike,” shtoi ai.
Hallka ‘e këputur’ e spitaleve bashkiake
Me mungesa më të theksuara në mjekë dhe pajisje, edhe spitalet bashkiake nuk mbetën jashtë përballjes me pacientët e infektuar nga koronavirusi, pavarësisht nga kufizimet ligjore.
Drejtori i spitalit bashkiak të Mirditës, Edmond Karrica thotë se që prej fillimit të pandemisë kanë trajtuar rreth 500 pacientë, të cilët kanë pasur nevojë për linja oksigjeni.
Karrica tregon se kërkesat e pacientëve dhe familjarëve të tyre i kanë vënë shpesh në vështirësi.
“Problemi më i madh është që duan që të qëndrojnë në spitalet bashkiake, duke na vendosur edhe në vështirësi neve si strukturë, pasi nuk e kemi mundësinë ligjore që t’i mbajmë më shumë,” tha ai.
Si shumë spitale bashkiake, Mirdita nuk ka skaner, ndaj mjeku i vetëm pneumolog në zonë ka përdorur për vizitat e pacientëve grafitë dhe skopitë. Ndërsa urgjencat për skaner i kanë deleguar në spitalin rajonal të Lezhës.
“Ky spital ka një reanimacion të vogël me 3 shtretër e oksigjen. Kemi edhe pavijone të tjera me oksigjen. Në spitalin tonë nuk ka respirator dhe nuk kemi pasur investime gjatë pandemisë nga Ministria, por na ka ndihmuar shumë për sa u përket masave mbrojtëse…,” tha Karrica.
Disa nga spitalet e rretheve duket se kanë mbetur jashtë hartës së Ministrisë së Shëndetësisë për investime në periudhën e pandemisë. Njëri prej tyre është spitali i Tropojës, ku mungojnë totalisht postet e oksigjenimit.
“Nuk kemi respiratorë dhe poste oksigjenimi për momentin. Investime gjatë 2020 në kuadër të pandemisë nuk janë bërë, por ministria na ka ndihmuar me mjetet mbrojtëse dhe me një autoambulancë të re, me gjë tjetër jo,” tha kreu i spitalit të Tropojës, Kongres Imeri.
Në spitalin e Tropojës, shërbimi shëndetësor ofrohet nga dy mjekë pensionistë, një gjinekologe që shkon nga Tirana, dy reanimatorë dhe një kirurg, gjithashtu në moshë pensioni dhe me banim në Tiranë si dhe një imazherist dhe endokrinolog.
Spitali e ka përballuar pandeminë pa asnjë mjek infeksionist apo pneumolog.
“Kemi pasur raste me Covid, por në raste të rralla, pasi kemi mungesa në pajisje. Spitali ka nevojë për investime, madje kemi kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë investim, duke i çuar edhe projektin, pasi realisht kemi shumë nevojë,” shtoi Imeri.
Edhe spitali i Bulqizës në verilindje të Shqipërisë nuk ka pasur investime në periudhën e pandemisë. Vështirësitë që hasin mjekët janë si në burime njerëzore ashtu edhe në pajisje.
“Respirator nuk kemi. S’kemi pasur asnjë investim tjetër nga Ministria në këto kohë pandemie, përveç masave mbrojtëse për bluzat e bardha. Mjek infeksionist nuk kemi, kemi vetëm 1 mjek pneumolog, i cili ka bërë gjithë vëzhgimin e rasteve të paraqitura me Covid 19,” tha drejtori i spitalit të Bulqizës, Haziz Jella.
Spitalet e Krujës, Ersekës, Matit, Malësisë së Madhe dhe Pukës dhanë pothuajse përgjigje të ngjashme se zbatonin protokollet për triazhimin e pacientëve me COVID dhe se kishin siguruar investime të vogla nga ministria, kryesisht në linja oksigjeni.
Ndërsa kreu i spitalit të Lushnjes, Pjerin Vogli tha se pandemia i gjeti me shumë pak pika oksigjeni në pavionin Infektiv –ku qëndrojnë sot pacientët me COVID-19.
“Përgjatë vitit 2020 kemi bërë shtimin e pikave të oksigjenit… Respiratorë kemi 3, dy funksionalë dhe një që ka nevojë për rregullim,” tha Vogli.
“Me të vërtetë quhemi spital bashkiak, por jemi në një aktivitet shumë më të madh se spitali i Kukësit. Kemi paraqitur në Ministri edhe projekte konkrete, pasi kemi realisht nevojë për investime,” përfundoi ai./BIRN