Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka autorizuar dërgimin e trupave dhe pajisjeve të Forcës së Sigurisë së Kosovës në operacion humanitar në Shqipëri, për të ndihmuar në shuarjen e zjarreve.
Përmes një komunikate për media, Presidenca ka thënë se për këtë vendim e ka informuar edhe Kuvendin e Kosovës.
Zëri i Amerikës raporton se Zona e Karaburunit mbetet problematike në luftën me zjarret në Shqipëri, meqë flakët gjatë ditës së hënë i janë afruar edhe Parkut të Llogarasë.
Beteja me zjarret po vazhdon tash e dy javë në këtë shtet, ndërsa policia shqiptare ka njoftuar ditët e fundit dhe për arrestimin e disa personave në zona të ndryshme të vendit, të dyshuar për zjarrvënie të qëllimshme.
Edhe autoritetet në Kosovë janë përballur me zjarre përgjatë këtij muaji.
Më 4 gusht, Policia e Kosovës ka njoftuar se në fshatin Novosellë të Malishevës ka vdekur një burrë (1957) pasi kishte shkuar në një stallë e cila ishte përfshirë nga zjarri.
Vdekja e tij dyshohet të jetë shkaktuar nga tymi i zjarrit.
Zjarrvënia e qëllimshme është vepër penale sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas nenit 322 të këtij Kodi, kjo vepër penale është e dënueshme nga gjashtë muaj deri në 10 vjet burgim, varësisht formës së kryerjes së përcaktuar në Kod./VOA