Policia Vendore në Durrës bëri me dije se ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “Kryqëzimi”. Si rezultat i këtij operacioni mësohet se janë sekuestruar armë zjarri dhe municion luftarak, ndërkohë që është arrestuar në flagrancë poseduesi i tyre, i cili do t’i shiste kundrejt fitimit.
Njoftimi i policisë:
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, në zbatim të Planit të Masave për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, kapjen e personave që lëvizin me armë zjarri me vete dhe rritjen e parametrave të sigurisë, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, organizuan punën dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Kryqëzimi”, si rezultat i të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi: T. C., 33 vjeç, banues në Durrës.
Shërbimet e Policisë, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, kanë ndjekur shtetasin T. C., i cili po lëvizte nga Durrësi në drejtim të Tiranës dhe në aksin rrugor Durrës-Tiranë, tek kryqëzimi i Sukthit, kanë ndaluar mjetin tip “Benz” që drejtohej nga ky shtetas. Gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin e tij janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 1 armë zjarri automatik, 6 karikator, 2 kallëp tritoli dhe municion luftarak, të cilat ky shtetas kishte për qëllim t’i shiste, kundrejt fitimit.
Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”, për të cilën parashikohet dënimi deri në 7 vjet burgim.