Partia Demokratike ka prezantuar sot, Programin e saj Mirëqenien Sociale. E ka marrë fjalën e para, ish-deputetja Grida Duma, e cila tha:
“Shqiptarët kanë ndjekur këto ditë planet tona ekonomike, të shëndetësisë, të arsimit; entuziazmi dhe mbështetja masive është parë dhe ndjerë kudo. Me të drejtë Shqiptarët presin dhe i kanë varur shpresat tek ne, që të udhëheqim ndryshimin, të prijmë me anijen e zhvillimit, një rrugëtim për të cilin ky vend ka kaq shumë nevojë. Sepse vijme nga tete vjet deshtime.
Nuk janë pak, është koha që e çon një të porsalindur drejt adoleshencës, koha që e çon një adoleshent të mbarojë universitetin e të përballet me tregun e punës të papunë, koha që ndoshta çoi dëm një brez të tërë profesionistësh, sepse e përcolli jashtë Shqipëria. Tetë vite dështim. Pas 8 vitesh edhe sot shqiptarët durojnë atoparlantët e gërvishtur të pushtetit falsitet që ja shurdhojnë të vërtetën; e prandaj askush nuk beson asnjë fjalë, asnjë vendim asnjë premtim. Shqiptarët besojnë e presin të bjerë gongu i kohës që Rama largohet. Largojmë të keqen e nisim zgjidhjen.
Është Lulzim Basha, i cili në këtë foltore e do vijojë t’ju paraqesë planin e tij , se si Shqipëria Fiton, kapërcen errësirën sociale; se si Shqipëria Fiton, e triumfon njerëzorja; jo vetëm me ekonominë, shëndetësinë, arsimin, por me qeverisjen njerëzore që ka kujdes për njerëzit e pamundur, për ata që sëmundjet, mosha, aftësitë ndryshe, aksidentet e jetës, mungesa e një pune të çfarëdoshme me qeverisjen e keqe, i la të zhytur në mjerimin pa dritë në fund të tunelit. Ky është një plan gjithëpërfshirës.
Është një plan serioz. Është një plan i realizueshëm.
Një plan për të cilin do të dedikohemi të gjithë ta zbatojmë, sapo të fitojmë zgjedhjet, dhe gongu i kohës të bjerë në 25.Prill. Miqtë e mi, Se ç’bëri Rama dhe qeveria e tij për tetë vite të gjata me problemet e mëdha sociale, këtë e pasqyron realiteti ynë i trishtë, gri sot.
Familjet që e kanë të vështirë edhe të mbijetojnë, përçmohen në dyert e bashkive për të marrë ndihmë ekonomike mjerane, që edhe atë janë heqin pa i thënë pse. Të lodhur ata larg qoftë të kenë një frigorifer të falur a një larëse të vjetër se i nxjerrin nga skema e ndihmës. Kriteret që përdorin për ti nxjerrë a përfshirë në skemën e ndihmës nuk di kush, janë të fshehta në defteret e pushtetit që i mban peng me koston e mjerimit. 70 mijë familje shqiptare apo rreth 210 mijë shqiptarë mbeten varur në këtë skemë.
Pensionistët , shtresa më e sakrifikuar, me pak e respektuar për pensionin e vogël, sot përballojnë të vetmuar kostot e një pandemie, kur janë të parët e rrezikuar. Personat me aftësi të ndryshe përballen jo vetëm me kufizimet e natyrës por me poshtërimin e shtetit nga neglizhenca fyese e Ramës. Sepse ku s\ka financim, s’ka mireqenie e pra gjithë buxheti vjetor i ndihmës ekonomike është sa vetëm 2 km të vjedhura të rrugëve të unazës; I gjithë fondi i pensionit në vit për 645 mijë pensionistë është sa vetëm një km i vjedhur i rrugëve. Raportet ndërkombëtare tregojnë që mbi 900 mijë shqiptarë jetojnë me më pak se 5 euro në ditë.
Statistikat provojnë që 31% e fëmijëve nuk hanë një vakt të mirë në ditë. Shqipëri e vjedhur, e varfëruar! Por koha e zgjidhjes erdhi! – Ne kemi punuar për një plan konkret dhe të detajuar që siguron një të ardhme shumë më të mirë për Shqipërinë dhe shqiptarët.
Po ky plan do te jete realitet, fakt sepse unë e njoh Lulzim Bashën, e njoh dhe them me besim e bindje të plotë, se ai është njeriu i duhur në kohën e duhur për të sjellë ndryshimin e duhur, për të cilin vendi ka kaq shumë nevojë.
Ne të gjithë, me qartësi dhe bindje kemi besim tek Lulzim Basha, për të udhëhequr Shqipërinë tonë me një qeverisje njerëzore, – drejt një të ardhme më të mirë,- drejt një ekonomie më të fortë, – drejt një vendi që ka njerëzit e duhur që kujdesen për qytetarët e vet.”