Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu në fjalën e saj në Kuvend ka deklaruar se janë kontraktuar doza vaksine antiCOVID për 800 mijë qytetarë, duke bërë me dije se janë parapaguar 2.9 milion dollarë për marrëveshjen me Pfizer, krahas parapagimit në instrumentin COVAX.
“Marrëveshja me Pfizer ishte përmbyllja e përpjekjes për sigurimin e 500 mijë dozave vaksinash që së bashku me marrëveshjen e COVAX me mundësimin pra të 1 milion e 140 mijë doza vaksinash, ne kemi tashmë të kontraktuara doza vaksinimi për 800 mijë qytetarë, duke filluar me grupet prioritare. U angazhuam financiarisht në parapagimin e marrëveshjes së Pfizer-it dhe tashmë kemi paguar rreth 2.9 milionë dollarë, si dhe kemi parapaguar në instrumentin e COVAX -it për të garantuar sigurimin e vaksinave në një kohë të shpejtë”, tha Manastirliu.
Manastirliu theksoi gjithashtu se janë siguruar mjetet e mbrojtjes personale për stafet mjekësore, medikamentet dhe është rritur numri i testimeve me qëllim këputjen e zinxhirit të infeksionit.
“Ja kemi dalë t’u sigurojmë stafeve mjekësorë të gjitha mjetet e mbrojtjes personale njësoj si në çdo vend tjetër, ja kemi dalë të shtojmë numrin e testimeve, të hapim qendrat e testimit të shpejtë në komunitet. 51 pika testimi janë sot në të gjithë territorin dhe lehtësojnë kryerjen e testit duke krijuar mundësinë e këputjes së zinxhirit të infeksionit. Me punë e pa fjalë ja kemi dalë të sigurojmë të gjitha medikamentet për trajtimin e simptomave Covid, me punë pa fjalë paket e trajtimit ambulator antiCOVID mbështet falas qytetarët për format e lehta dhe të moderuar të sëmundjes,”, tha Manastirliu.