Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, tha në mbledhjen e Komitetit Teknik të Ekspertëve se ka një rënie të ndjeshme të shifrave të koronavirusit.
“Kemi një rënie të ndjeshme të shifrave, si dhe një numër të ulët të shtrimeve në spitalet Covid.
Vijojmë të kemi një incidencë të ulët, me 26.6 raste për 100 mijë banorë.
Kemi një rënie të pozitivitetit total dhe numri i pacientëve të shtruar është ulur në 116 të shtruar, krahasuar me javën e mëparshme. Indikatorë të tillë na sjellin në vëmendje situatën e një viti më parë, ku me masa të forta dhe izolim tërësor patëm një situatë shumë të kontrolluar.
Ndërkaq, në këtë vit ja kemi dalë që falë strategjisë sonë dhe masave, që kanë pasur ndikim të padiskutueshëm për gjendjen ku ndodhemi sot. E kemi bërë këtë falë bashkëpunimit dhe mirëkuptimit të qytetarëve.
Po vijojmë me fushatën e vaksinimit masiv. Janë rreth 100 mijë qytetarë që kanë marrë dozën e vaksinimit. Ndërkohë që vijon me ritme të larta vaksinimi. Jemi treguar shumë të kujdesshëm sa i përket masave dhe lirimit të masave. Do të vijojmë të jemi po aq të kujdesshëm edhe në këtë moment, kur situata konsiderohet e kontrolluar.
Nisur nga situata epidemiologjike në vend, Komitet ka pasur sot një mbledhje dhe ka rivlerësuar masat e marra disa javë më parë. Ka bërë një rivlerësim të situatës në Greqi e Maqedoninë e Veriut, ku në dy javët e fundit vihet re një tendencë e uljes së infektimeve, ndaj dhe ka heqjen e masës së karantinës 14-ditore me këto dy vende.
Gjithashtu do të lejohet hapja e auditorëve vetëm për procesin e konsultimeve dhe provimeve”, shpjegoi Manastirliu