Edi Rama do të bëjë një rifreskim të grupit parlamentar, duke lënë jashtë disa emra që nuk kanë pasur protagonizëm politik në këtë legjislaturë.
Ndërkohë, kjo javë e fundit përpara dorëzimit të listave në KQZ po përdoret për të përgatitur një skuadër që të mundësojë të paktën 71 mandate, ndaj socialistët nuk do të kursejnë as biznesmenët, as familjarët e tyre, e po ashtu as disa deputetë të opozitës së re në Kuvend me qëllim që të arrijnë objektivin.
Asgjë nuk është ende e sigurt për askënd, e gjithsesi ABC ka mësuar se kush janë emrat që po diskutohen qark pas qarku.
Në Tiranë, pikëpyetja më e fortë politike është nëse do të kandidohet ose jo Fatmir Xhafaj. Teksa në listë, shihen si risi, futja si deputete e ministreve Balluku e Gjonaj, dhe rikthimi i Fidel Yllit nga Durrësi në Tiranë. Dukshëm bie në sy dhe faktorizimi i bashkëpunëtorëve të Veliajt, si prefekti Toni Gogu dhe zëvendësministrit Etjen Xhafaj.
Kamza dhe Paskuqani janë zonat ku do të provojnë të thyejnë rregullat të paktën 4 deputetë që vijnë nga listat parlamentare: Ylli Shehu, Reme Lala, Halit Valteri dhe Edmond Rrushi.
Në Elbasan, vihet re një konfirmim që i është dhënë Sajmir Hasallës, të afërmit të Aqif Rakipit për të kandiduar për socialistët me përgjegjësi Peqinin, ku ai ka qenë edhe kryetar bashkie. Po ashtu, lista socialiste e Elbasanit do të mbajë dhe Albana Hanën, vajzën e prokurorit të ndjerë Xhevat Hana, si dhe Erald Xhanin, këshilltarin e Taulant Ballës.
Korça nuk prodhon për momentin asnjë risi, veç kandidimit të sigurt të Niko Peleshit dhe Ilir Pendavinjit, si dhe mundësinë e lartë të rikonfirmimit të Eduard Shalsit. Vendi është bosh për një zonjë brenda 3 emrave të parë, që mund të jetë edhe Blerina Gjylameti.
Në Durrës, lista do të udhëhiqet nga vetë Rama, i shoqëruar nga Lefter Koka e Milva Ekonomi. Emrat e tjerë janë të gjithë të ndryshueshëm dhe të papërcaktuar.
Në Fier, të vetmit të sigurt duket se janë Gramoz Ruçi dhe Erjon Braçe, ndërsa një prej kandidatëve më interesantë, duket Luan Bregasi. Biznesmenit mund t’i besohet zona e Patosit. Haki Çako, drejtori i emergjencave mund të jetë përgjegjës për Lushnjën, ndërsa edhe Petro Koçi pritet të jetë në listën e Fierit.
Lista e Beratit mban Blendi Klosin, Ermonela Felajn, ish kreun e ushtrisë Bardhyl Kollçaku, e po ashtu ish ministrin e LSI-së, Nasip Naço.
Në Vlorë, veç Ramës e Gjiknurit, lista pasurohet me Ministren e Financave, Anila Denajn. Një risi e këtij qarku është kandidimi i një biznesmeni që zotëron një rrjet të njohur klinikash mjekësore, Vasil Llajon, si përfaqësues të minoritetit grek.
Në Gjirokastër nuk ka surpriza. Bledi Çuçi dhe Mirela Kumbaro do të udhëheqin listat, ndërsa në treshe do jetë edhe drejtori i postës shqiptare, Laert Duraj. Në Lezhë pritet një listë e përbërë nga Lindita Nikolla, Eduard Ndrecaj dhe Shpresa Marnoj.
Shkodra do të udhëhiqet nga Ilir Beqaj, por emri më i ri për të qenë në pjesën fituese, është ai i Benet Becit, drejtorit të KESH. Po ashtu prefektja Majlinda Agoni diskutohet si një prej tre emrave të parë. Lista pritet të përfshijë Paulin Stërkajn dhe Luan Harushën.
Në Kukës, PS nuk shpreson më shumë se një deputet, dhe emri më i diskutuar, është ai i Greta Durakut, vajza e një biznemeni të njohur të zonës. /ABC