Nga Jorida Tabaku/
Jo vetëm në media por edhe qytetarë të induktuar nga çfarë dëgjojnë në media më pyesin mua apo kolegët e mi demokratë se ku do të gjenden paratë për të mbuluar shpenzimet që plani jonë ekonomik ka për Shqipërinë. Një miks ndjeshmërie nxitur më shumë nga humbësit e zgjedhjeve të 25 prillit, që kanë keqpërdorur çdo burim ekonomik dhe natyror të vendit po fut në një qerthull të një logjike false qytetarët.
Përgjigja që u kam dhënë dhe u jap qytetarëve është e thjeshtë; në buxhetin e shtetit. Me të drejtë ato shohin me habi pasi janë mësuar që buxheti i shtetit është arka personale e qeverisë që e shpenzon për gjithfarëlloj aventurizmi fiskal apo ekonomik. Me një farë skepticizmi të ndjekin me sy kur argumenton se si mund të menaxhohet më mirë portofoli i përbashkët.
Ditë më parë një shkrim në revistën Monitor detajonte dëmin ekonomik që buxheti i shtetit ka për të pasur si pasojë e gjyqeve në Gjykatën e Arbitrazhit. Sipas përllogaritjeve shifra totale që do të paguajnë shqiptarët nga taksat e tyre është 453.5 mln euro.
Sakaq, dëmi ekonomik që ka buxheti i shtetit si pasojë e abuzimeve me tendera me një ofertues ka një kosto prej 300 mln eurosh në vit. Nga ana tjetër KLSH raporton që dëmi ekonomik nga viti 2014 deri në vitin 2019 është 7.2 mld euro në total. Pra qeveria ka abuzuar një vlerë të barabartë me dy buxhete të marra së bashku.
Siç edhe shihet qartë buxheti i shtetit është një minierë e madhe floriri kur vjen fjala për punët e mbrapshta të qeverisë Rama. Abuzimet me kontratat që kanë prishur imazhin e Shqipërisë në botë por njëkohësisht kosto që i kushton ajo buxhetit nuk është rastësi.
Thënë më qartë, ky është një sistem i ngritur për të grabitur taksat e shqiptarëve në buxhet nga qeveria dhe njerëzit pranë saj. Të njëjtët njerëz ngrenë më pas tezat që buxheti i shtetit nuk ka para për të mundësuar një jetë dinjitoze të shqiptarëve.
Paratë pra do të gjenden në shembjen e këtij sistemi për të ngritur një sistem që në qendër nuk ka qeverinë, ministrat e saj apo dhe klientët pranë këtyre ministrave. Jo! Plani jonë ekonomik ka në qendër qytetarin dhe familjet e shqiptarëve. Kjo do të thotë që buxheti i shtetit do të jetë në shërbim të tyre dhe jo interesave personalë të qeverisë.
Duke minimizuar në maksimum abuzimet me tenderat publikë që do të thotë duke përjashtuar tenderat me një ofertues do të kursehen 300 mln euro.
Duke ndjekur një politikë fiskale të thjeshtë dhe të ndershme do të zgjerohet baza fiskale dhe kjo do të thotë më shumë biznese dhe të punësuar do të formatizohen. Duke shembur një sistem klienteliste që favorizon shmangiet fiskale dhe manipulimet fiskale do të kemi një sistem për të gjithë që do të mbledhë më shumë të ardhura.
Kur u ulëm të punojmë për këtë plan ekonomik qeverisës, bashkë me kryetarin Basha, menduam për rëndësinë e madhe që ka ndryshimi i sistemit. I një sistemi që sot favorizon me ligje speciale disa biznesmenë ndërsa ngarkon me taksa shumicën e sipërmarrjeve dhe qytetarëve. Këto favorizime fiskale në formën e përjashtimeve nga taksat i kushtojnë buxhetit 300 mln euro.
Rruga për të ndryshuar sistemin natyrisht kalon nga 25 Prilli. Skeptikët me të drejtë mund të ngrenë paralelizma me vitin 2013 por PD ndryshe nga 8 vite më parë nuk po premton lugë floriri.
Përkundrazi, siç e kemi bërë të qartë. Ne kemi ardhur me angazhime të shkruara të zezë mbi të bardhë. Kushdo që përpiqet ta bëjë llogarinë me metrin e Ramës gabohet.
Për herë të parë një forcë politike në opozitë vjen me një plan ekonomik dhe me një buxhet. I pari sqaron rrugën se si sistemi do të ndryshojë ndërsa i dyti shpjegon me shifra se ku do të gjendet paratë.
Kjo, na bën ndryshe nga ato që edhe sot pas 8 viteve premtojnë njësoj si në vitin 2013. Ata kanë dokrra hini ne kemi angazhime! Tpz.al