Kosova feston sot 13 vjetorin e pavarësisë së saj!
Me këtë rast një sërë aktivitetesh janë programuar gjatë ditës, të cilat fillojnë me ngritjen e flamurit nga garda dhe FSK në orën 8:00 dhe vijojnë me homazhe te varri i ish-presidentit Rugova, memoriali i Adem Jasharit në Prekaz dhe më vonë te Varrezat e Dëshmorëve.
Nuk përjashtohen edhe parakalimet ushtarake ku do të jenë të pranishëm edhe drejtuesit e institucioneve dhe politikanë të vendit.
Aktivitetet mbyllen në mbrëmje me koncertin recital, ndërkohë që me urdhër të Ministrisë së Arsimit edhe në shkolla ora e parë do t’i kushtohet arritjeve të vendit deri më tani.
Pavarësia e Kosovës është shpallur më 17 shkurt 2008.
Të parët që nënshkruan deklaratën e pavarësisë së Kosovës ishin: presidenti Fatmir Sejdiu, kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, si dhe kryeministri i vendit, Hashim Thaçi.
Shtetet e para që njohën Kosovën si shtet pas shpalljes së pavarësisë ishin: Kosta Rika, SHBA, Franca, Afganistani, Shqipëria, Turqia, Britania e Madhe.
Prezente gjatë seancës së shpalljes së pavarësisë të Kosovës, me transmetime direkte ishin dhe mediat më të njohura botërore si: CNN apo BBC.tpz.al