Mjekja e njohur pediatre, Xhorxhina Kuli, tha se është rritur numri i fëmijëve të prekur nga koronavirusi.
Kuli tha se shumica e fëmijëve e kanë kaluar dhe e kalojnë në shtëpi por së fundmi është vërejtur një trend në rritje të rasteve të hospitalizuara.
“Shtimi i rasteve të reja është reflektuar edhe te fëmijët. Numri është gjithnjë e më i madh krahasuar me kohën kur nuk ishte pandemia. Sepse kemi pasur raste pozitive kur prindërit nuk janë identifikuar si pozitivë, por e kanë transmetuar. Kemi ritëm të shtuar të hospitalizmit që nga nëntori. Nga 1 korriku që ishin rastet e para, në nëntor ishim në kapacitet të plotë. Përgatitëm skenaret e tjera sepse u mbush reparti. 75-80% të shtretërve janë ezauruar.
Format klinike te fëmijët janë: Shumica e rasteve e kalojnë në kushte familjare me ulës temperature, vitaminë, lëngje e kështu gjërash. Pavarësisht që shihet një trendencë që të fillojnë antibiotikët, por ne mundohemi t’i mbajmë në kushte shtëpie me këto trajtime. Ata të hospitalizuar janë fëmijët shumë të vegjël foshnje 1-2 muajshe të infektuar nga nënat, kanë pneumoni, infeksione respiratore pavarësisht që graviteti s’ka qenë i madh mosha e fëmijëve me këto komplikacione sigurisht do të trajtohen me kujdes dhe prioritet. Deri tani ka hospitalizim 10-14 ditë.
Kemi të shtruar rreth 80% të repartit, 12, fëmijë, 2 prej të cilëve në terapi intensive, jo të intubuar. Kategoria tjetër është përgjigja inflamatore e ekzagjeruar. Kjo konsiston në sëmundjen e kavasakit që e bëri alarm OBSH dhe mediat e huaja. Kemi goxha fëmijë me sindromën e kavasakit. Kjo përcaktohet nga disa kritire laboratorike, ka përfshirje të shumë organeve. Kjo shfaqet shumë kohë më pas infektimit te fëmijët. Shkon 4 javë. Temperatura e kalon 3 ditë në shifra të larta dhe përfshirje të disa organeve, përveç mushkërive dhe përfshirje të sistemit renal, pamjaftueshmëri pra të veshkës, vështirësi në qarkullimin e gjakut. Puçra në lëkurë, përfshirje të zemrës”- tha Kuli.