Drejtuesi politik i LSI-së i Qarkut të Beratit, Ardit Çela, i ftuar në rubrikën “Opinion” në “News 24”, deklaroi se goditja për “Rilindjen” më 25 prill do jetë ballore.
Çela thekson se LSI në qarkun e Beratit, në këto zgjedhje, do të marrë së paku tre mandate deputetësh, kurse shtoi se luftohet për të qenë forcë e parë politike në qark.
“Ne kemi qenë forcë e dytë politike në Berat dhe garojmë për të qenë të parët në këtë qark. Ne në qarkun e Beratit do dalim me listën tonë, unë do jem në krye, ndërsa kemi në listë njerëzit më të mirë, që janë kërkesa të banorëve. LSI në qarkun e Beratit do ketë minimalisht 3 mandate dhe luftojmë për të qenë parti e parë.
Rama shëtiste në Berat si në përrallat e Anderson. Qytetarët e Policanit janë varfëruar, për shkak edhe të vendimeve të Blendi Klosit. Klientët e Klosit janë favorizuar. Vendim-marrja e Klosit ka lënë mijëra pa punë. Rilindja nuk do marrë vota në qarkun e Beratit, sepse vetëm ka varfëruar qytetarët. Më 25 prill, Rilindja do marrë goditje në Berat, Kucovë, në Polican, Urën Vajgurore”, tha Çela.
Duke folur për të ikurit nga LSI në Berat, Ardit Çela nënvizoi se të gjithë ata persona janë larguar nga Lëvizja Socialiste për Integrim, duke shtuar se LSI ka një plan të qartë se çfarë do të bëjë në Berat.
“Politikanët duhet të dinë se fushatë është gjithë aktiviteti, jo vetëm këta ditë. Qarku Berat është si zemra për trupin, jam në shtëpinë time në Berat dhe e ndjej veten në shtëpinë time biologjike dhe politike. Mendoj se do kemi mbështetjen e qytetarëve. LSI është distancuar nga të ikurit dhe s’ka nd’dhur e kundërta. Qarku Berat sot është lënë në harresë dhe është zhytur në varfëri dhe në papunësi. INSTAT flet për këto shifra, që janë të zymta. Sot biznesi, bujqësia, gjithçka lëngon në Berat. LSI ka projekte zhvillimi konkrete. Kjo qeveri e ka mendjen tek PPP”, u shpreh Çela.
Më tej, Çela vlerësoi se kur LSI të jetë në qeveri, do të hapë 2 deri në 3 mijë vende të reja pune në Kuçovë.
“Në programin tonë, në zonat e lira ekonomike,kemi menduar për zhvillim. Kuçova do jetë një zonë e lirë ekonomike, që shërben për thithje të investimeve të huaja dhe do hapen 2-4 mijë vende pune. Është edhe baza e NATO-s që do ndërtohet shumë shpejt. Sa i përket bujqësisë, qeveria nuk ka pasur asnjë investim serioz. Qeveria ka përjashtuar kultivuesit e ullirit. Shumica janë larguar nga kjo politikë.
LSI do ketë së paku 200 milionë euro investime në bujqësi, do ketë subvencionim edhe për blegtorët, edhe për prodhuesit e qumështit, do mbështesim blegtorët. Vizioni ynë është që të ketë mbështetje për fermerin. Do ketë subvencion drejtpërdrejtë për fermerin, sepse fermeri e di ku i pikon çatia. Është fatkeqësi për Beratin që nuk ka investime nga kjo qeveri, vizitorët vijnë vetëm nga brendi ndërkombëtar”, përmbylli Çela.