“Faji i barkëderrave të sotëm do prodhojë nesër të pafajshëm të mjeruar”- Fuga publikon videon e studentes për pasojat e borxhit: Duket sikur çdo gjë shkon mirë, por…

Akademiku Artan Fuga, ka publikuar një video të një vajze të re, pjesë e projektit  Tik Tok Corruption Albania, e cila analizon në pak sekonda pasojat e borxhit të shtetit. Sipas Fugës, borxhet kënaqin “dembelizmin tonë, pasivitetin politik të qytetarit shqiptar, paaftësinë e qeverisë”, por shton se ndonëse fillimisht duket se çdo gjë shkon mirë, “dardha e ka bishtin prapa”. “Faji i barkëderrave të sotëm do të prodhojë nesër të pafajshëm të mjeruar përgjithmonë nesër!”, shkruan mes të tjerash Fuga.

Postimi i plotë:

Kristina Blana : Si borxhet e sotme dredhin dhe foshnjat në barkun e nënës!

https://www.tiktokcorruption.al/…/borxhet-e-shtetit_2pnJCAS…

Kristina Blana është studente në shkencat e komunikimit dhe pjesë e ekipit krijues të MEDIALOOK Albania, në projektin Tik Tok Corruption Albania, mbështetur nga Agjencia Zviceriane për Zhvillim dhe Bashkëpunim. Me gjuhën e mediave të reja, këtu me një video pak sekondashe, ajo analizon dhe sintetizon se çfarë pasojash kanë mbiborxhet që ngarkojnë si një pelë plakë me strajca me gurë Shqipërinë tonë.

Janë borxhe që kënaqin dembelizmin tonë, pasivitetin politik të qytetarit shqiptar, paaftësinë e qeverisë, korrupsionin, krimin, vjedhjen dhe shpërdorimin e parasë publike, paaftësinë e qeveritarëve për t’i bërë ballë vështirësive, si edhe zvjerdhjen ekonomike që nuk lejon të mblidhen taksa, si edhe lluksin e padobishëm të qeveritarëve që nga këto borxhe na hedhin ndonjë kockë ta lëpijmë.

Duket sikur ohoho cdo gjë shkon mirë, por prisni dardha e ka bishtin shumë prapa!

Videoja e Kristina Blanës na e lë në memorje! Ajo ka bërë gjetjen e lypsit të gëzuar që më pas shndërrohet në një të pafajshëm që nuk di se nga i ka ardhur e keqja, e keqja që do lindi bashkë me cdo fëmijë që ende është në barkun e nënës!

Faji i barkëderrave të sotëm do të prodhojë nesër të pafajshëm të mjeruar përgjithmonë nesër!

Author: admin