E shohim prej vitesh në ekran, ja sa vjeç mbush sot Arbana Osmani

Arbana Osmani, një ndër moderatoret më të dashura dhe të suksesshme për publikun shqiptar feston sot ditëlindjen dhe mbush 40 vjeç.

Sapo ora kaloi 00:00, finales së “Big Brother VIP 2” iu shtua edhe një surprizë mjaft e këndshme që produksioni kishte përgatitur për të. Ishte pikërisht bashkëshorti i Arbanës dhe regjisori i spektaklit, Eduart Grishaj që së bashku me të gjithë stafin publikuan një klip me momentet më të bukura të Arbanës gjatë prezantimit të formatit më të suksesshëm të momentit, i cili përfundoi ditën e djeshme.

Pas klipit, i gjithë publiku dhe ish-banorët u ngritën në këmbë dhe filluan të këndonin këngën e ditëlindjes dhe të duartrokisinin për moderatoren e cila dukej tejmase e emocionuar. Urime mori dhe nga dy finalistët e fundit, Kristi dhe Luizi të cilët gjatë mesnatës ishin ende në shtëpinë më të famshme të Shqipërisë.

Shumë i lezetshëm ishte fakti që fill pas surprizës së Osmanit, ajo uroi gjysmën e saj më të mirë Eduartin, i cili ka po ashtu ditëlindjen sot. Ajo ka publikuar edhe një postim në llogarinë e saj në “Instagram” ku duket së bashku me Grishaj dhe shkruan: “Fituesi i zemrës sime.”

 

View this post on Instagram

 

A post shared by Arbana Osmani (@arbanao)

 

Kujtojmë se karriera e suksesshme  e Arbanës ka nisur mbi 2 dekada më parë.  Në vitin 2002 së bashku me Ermal Mamaqin, Eno Popin dhe Drini Zeqon, Osmani nisi prezantimin e “Select”, programit muzikor në të cilin do të qëndronte deri në vitin 2004. Më pas Arbanës do t’i besohej prezantimi i “Top Fest” të cilin do ta moderonte deri në edicionin e tij të katërt.

Pas “Top Fest-it”, ajo filloi të fitonte një popullaritet të madh dhe nisi të drejtojë emisione dhe konkurse si “Supermodel of the World” dhe “Top Show” ku intervistonte artistë e muzikantë të njohur së bashku me Alban Dudushin. Në vitin 2008, nisim të njihemi me  prezantuesen e edicionit të parë të “Big Brother Albania”, i cili shpejt u kthye në programin më të dashur e të njohur.

Ky spektakël korri një sukses të jashtëzakonshëm dhe ka vulën e Arbanës e cila është e vetmja moderatore që identifikohet me këtë program në Shqipëri. Vitet që erdhën më pas janë vitet e saj të arta pasi po në të njëjtin vit me “vëllain e madh” i besohet moderimi i “E diell”, më pas “Pasdite në Top Channel” në vitin 2009, “1001 Pse” në vitin 2011, “Në 1 Javë” në 2015ën dhe “Dua të të bëj të Lumtur” në vitin 2016.

Ndonëse provoi shumë eksperienca televizive, mesa duket asnjëra nuk ngjason dhe nuk i afrohet “Big Brother-it” i cili u rikthye pas disa vitesh, kësaj radhe me konkurrentë VIP-a. Pas përfundimit me sukses edhe për këtë vit, urojmë që së shpejti ta shohim Arbanën sërish në ekran.

Author: horoscope