Kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, ngriti akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama. Si një aleat i dikurshëm i tij, ai tha se Rama ka si mision ka shkatërrimin e Partisë Socialiste, e cila sipas tij nuk do të ekzistojë pas zgjedhjeve të 25 prillit.
”Në konceptin e Ramës, është perandorak, është ai dhe baza e qytetarëve, nuk ka struktura dhe organe. Duke e njohur situatën nga brenda, armiku më i madh i PS-së është Rama, ai e ka pasur mision shkatërrimin e PS-së, e shndërroi në rilindje, mënjanoi drejtues të PS që kishin vlera sociale. Nuk ka zhvilluar një proces zgjedhor brenda partisë së tij qoftë dhe nga pozitat e kryeministrit dhe më vjen keq që disa kolegë nuk reaguan në kohën e duhur dhe tani kujtonin se nuk do u vinte radha, tani u erdhi radha dhe atyre. Pas këtyre zgjedhjeve PS nuk do të ekzistojë më”,-tha ai në ”A2cnn”.
Nga ana tjetër, Dule thotë se Rama i mori nga asgjëja njerëzit, i ngriti në nivele të larta dhe pastaj i çoi përsëri në asgjë duke mos mbajtur përgjegjësi për veprimet e tij.
“Rama i ka zgjedhur me kriterin e vet për të qenë shërbëtorë të bindur. Besa Shahinin e mori nga asgjëja dhe e çoi te asgjëja. Ministria e Jashtme, Gent Cakajn e mori nga asgjëja, e ngriti në krye të diplomacisë dhe e çoi në asgjë. Zotit Leli pavarësisht se kisha kritika, në momentin e fundit dha një shembull rezistence dhe vijmë te ministria tragjike për nga administrimi, Ministria e Brendshme. E mori nga hiçi, e çoi në hiç pa mbajtur përgjegjësi politike. Përgjegjësia politike nuk vendoset në gjykata, por në marrëdhënien me qytetarin. Parimi i Ramës i shmanget politikës së vet dhe zgjedh njerëz që i shmangen përgjegjësive”,- tha Dule.