Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest në shtëpi” për Florida Beun.
Beu, e cila është nën hetim në të njëjtën dosje me ish-zëvendësministren Rovena Voda dyshohet për “ushtrim të ndikimit të paligjshëm.”
Ajo dyshohet se i dha ryshfet ish-zëvendësministres për një vend pune në Ministrinë e Brendshme.
Nga hetimet e SPAK, rezultoi se Voda kishte marrë një 1 mijë euro, një celular dhe një arkë me peshk për të punësuar Flordia Beun në ministri.
Kurse, avokatja Majlinda Hasani ka luajtur rolin e sekseres për të lidhur Florida Beun me ish-zv.ministren, duke shfrytëzuar edhe lidhjen shoqërore që ka pasur me të.
Si provë më të fortë, SPAK ka në duar përgjimet telefonike të tyre.
Kjo aferë korruptive u zbulua gjatë hetimit për prokurorin e Kukësit, Edmond Karriqi.
Florinda Beu është motra e Emirjan Beut, i cili është arrestuar për rastin e korrupsionit të prokurorit.