Ka ndërruar jetë nga koronavirusi, 9-vjeçari Alvin, i cili arriti të fitonte betejën me tumorin, por fatkeqësisht jo atë me virusin. Themeluesi i Fundjavës Ndryshe, Arbër Hajdari, i cili ka dhënë lajmin në rrjetet sociale, shkruan se 9-vjeçari ia arriti që të luftonte me tumorin, por nuk mposhti dot Covid-19.
9-vjeçari u dërgua në Zvicër ku të voglit i dhanë veç një muaj jetë dhe pas një ndërhyrjeje në Stamboll ku u njoftua se doli me sukses, krejt papritur, Alvini ka ndërruar jetë nga koronavirusi, me gjithë përpjekjen për ta shpëtuar.
Statusi i plotë:
“Mes trishtimit të papërshkrueshëm, me lot në sy, e zemër të coptuar, po ju njoftoj me një lajm të dhimbshëm për mua, për prindërit, por dhe për ju.
Krejt papritur, Alvini ka ndërruar jetë nga covid 19. Bëmë të pamundurën, nuk u dorëzuam as kur Profesori më i mirë në Europë në spitalin e Lozanës, nuk e mori përsipër operacionin e Alvinit. U operua në Turqi, u përmirësua, po rehabilitohej shumë mirë.
Por nuk paska qenë e thënë… Zoti e paska bërë për vete, siç duket! Alvini do jetë në parajsë, këtë e ka premtuar Zoti, për çdo fëmijë që ndërron jetë. Sa të jem gjallë nuk do ta harroj Alvinin, këtë fëmijë të mrekullueshëm, të zgjuar, të bukur, të mencur. Të Zotit jemi dhe tek ai do të kthehemi”.tpz.al