Kryetari i PD Lulzim Basha, ka zhvilluar një takim me Komisionerin e BE për Zgjerimin, Oliver Varhelyi.
Ndërsa shpreh falënderimet për sasinë e vaksinave që BE i ka dhënë Shqipërisë, si edhe për mbështetjen financiare për të lehtësuar pasojat ekonomike dhe shëndetësore, Basha bën me dije se në qendër të takimit ishte procesi i zgjedhjeve të 25 prillit.
Kryedemokrati thotë se e ka njohur komisionierin me manipulimet masive që sipas tij i janë bërë procesit zgjedhor, përmes shitblerjes së votës, përdorimit të personave me precedentë kriminal, përdorimit të paligjshëm të administratës, vjedhjes dhe përdorimit kriminal të të dhënave personale të shtetasve nga PS.
“Fushata e tjetërsimit të vullnetit të zgjedhësve u drejtua nga kupola drejtuese qeveritare në bashkëpunim nga persona që janë nën hetim për bashkëpunim me krimin e organizuar, dhe personave në listën e zezë të SHBA, fëmijë dhe të afërm të personave që u nxorën jashtë nga ligji i dekriminalizimit janë tashmë pjesë e listës së deputetëve të PS.
PD dhe kandidatët saj kanë depozituar në SPAK dhe në prokuroritë e rretheve rreth 180 kallëzime për të cilat nuk ka pasur asnjë veprim ndalues apo parandalues edhe pse ato janë depozituar muaj para datës së zgjedhjeve.
Policia e Shtetit në shume raste është përfshirë në mbrojtjen kontigjenteve të blerjes së votës si dhe ka fshehur, tjetërsuar dhe manipuluar fakte flagrante ku persona me precedent janë përfshirë në operacionin kriminal të blerjes së votave dhe shantazhimit të votuesve”, tha Basha.
Gjithashtu Basha shprehu vendosmërinë e tij dhe të Partisë Demokratike për të vazhduar betejën për ndryshim dhe për të kthyer demokracinë në Shqipëri.