Gjatë hetimeve të SPAK për korrupsion në Gjykatën e Krujës, kanë dalë në dritë edhe disa indicie për korrupsion në Shëndetësi.
Konkretisht sipas SPAK, ka dyshimet se mjeku i njohur, kardiokirurgu Edvin Prifti është përfshirë në korrupsion pasiv, duke i marrë para kryesekretares së gjykatës për të operaruar nënën e saj.
Mësohet se në banesën e Priftit dhe zyra e tij, janë kontrolluar nga policia dhe janë gjetur shuma të mëdha monetare, konkretisht 250 mijë euro dhe 160 milionë lekë të vjetra.
Edvin Prifti është aktualisht i pezulluar nga detyra, sëbashku me infermieren Trëndafile Frangu.
“Gjithashtu gjatë hetimit të këtij procedimi penal është evidentuar edhe një rast korrupsioni në shëndetësi dhe në lidhje me këtë rast Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me vendimin nr.14 datë 10.02.2021 ka vendosur caktimin e masës së sigurimit ndaj shtetasve:
- Edvin Prifti, mjek kardiokirurg në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Tiranë, masë sigurimi “Pezullim i ushtrimit të një detyre apo funksioni publik”, parashikuar nga neni 242 i K. Pr. Penale, i dyshuar për veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal.
- Trendafile Frangu, infermiere në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Tiranë, masë sigurimi “Pezullim i ushtrimit të një detyre apo funksioni publik”, parashikuar nga neni 242 i K. Pr. Penale, e dyshuar për veprën penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm të funksionarëve publikë”, parashikuar nga neni 245/1 paragrafi 2 i Kodit Penal;
- Migena Skenderi, masë sigurimi “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, parashikuar nga neni 234 i K. Pr. Penale, si e dyshuar për veprën penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm të funksionarëve publikë”, parashikuar nga neni 245/1 paragrafi 2 i Kodit Penal;“, thuhet ndër të tjera në njoftimin e SPAK. tpz.al