Juventus ngre krye menjëherë pas eliminimit nga Liga e Kampionëve, pasi ia doli të triumfojë me rezultatin 1-3 në transfertën ndaj Cagliarit në kampionat, duke u ngjitur në kuotën e 55 pikëve, plot 10 më pak se Interi kryesues.
Pas kritikave të shumta për paraqitjen në Ligën e Kampionëve dhe një gabim rastin e golit të tretë të Portos, Cristiano Ronaldo ishte protagonist absolut mbrëmjen e sotme në “Sardegna Arena”.
Portugezi zhbllokoi sfidën me një gjuajtje me kokë në minutën e 10’, ndërsa vetëm 4 minuta më vonë bëri një ndërhyrje shumë të rëndë ndaj portierit Cragno, duke i përplasur takën në fytyrë, por ia hodhi paq me vetëm një karton të verdhë, ndërsa VAR-i nuk ndërhyri për një faull ku ngjyra e kartonit duhej të ishte tjetër.
Shansin që i dhanë arbitrat për të qëndruar në fushë, CR7 e shpërbleu në mënyrën më të mirë të mundshme, pasi shënoi golin e dytë me penallti dhe më pas të tretin pas një asisti të Chiesës, duke kompletuar tripletën personale në vetëm 32 minuta lojë.
Cagliari u zgjua në pjesën e dytë dhe ngushtoi disavantazhin në minutën e 61-të me golin e shënuar nga sulmuesi argjentinas Giovanni Simeone, ndërsa më pas krijoi disa mundësi të tjera shënimi, por nuk arriti të rihapë takimin.