Arbana Osmani, një ndër moderatoret më të dashura dhe të suksesshme për publikun shqiptar feston sot ditëlindjen dhe mbush 40 vjeç.
Sapo ora kaloi 00:00, finales së “Big Brother VIP 2” iu shtua edhe një surprizë mjaft e këndshme që produksioni kishte përgatitur për të. Ishte pikërisht bashkëshorti i Arbanës dhe regjisori i spektaklit, Eduart Grishaj që së bashku me të gjithë stafin publikuan një klip me momentet më të bukura të Arbanës gjatë prezantimit të formatit më të suksesshëm të momentit, i cili përfundoi ditën e djeshme.
Pas klipit, i gjithë publiku dhe ish-banorët u ngritën në këmbë dhe filluan të këndonin këngën e ditëlindjes dhe të duartrokisinin për moderatoren e cila dukej tejmase e emocionuar. Urime mori dhe nga dy finalistët e fundit, Kristi dhe Luizi të cilët gjatë mesnatës ishin ende në shtëpinë më të famshme të Shqipërisë.
Shumë i lezetshëm ishte fakti që fill pas surprizës së Osmanit, ajo uroi gjysmën e saj më të mirë Eduartin, i cili ka po ashtu ditëlindjen sot. Ajo ka publikuar edhe një postim në llogarinë e saj në “Instagram” ku duket së bashku me Grishaj dhe shkruan: “Fituesi i zemrës sime.”
View this post on Instagram
Kujtojmë se karriera e suksesshme e Arbanës ka nisur mbi 2 dekada më parë. Në vitin 2002 së bashku me Ermal Mamaqin, Eno Popin dhe Drini Zeqon, Osmani nisi prezantimin e “Select”, programit muzikor në të cilin do të qëndronte deri në vitin 2004. Më pas Arbanës do t’i besohej prezantimi i “Top Fest” të cilin do ta moderonte deri në edicionin e tij të katërt.
Pas “Top Fest-it”, ajo filloi të fitonte një popullaritet të madh dhe nisi të drejtojë emisione dhe konkurse si “Supermodel of the World” dhe “Top Show” ku intervistonte artistë e muzikantë të njohur së bashku me Alban Dudushin. Në vitin 2008, nisim të njihemi me prezantuesen e edicionit të parë të “Big Brother Albania”, i cili shpejt u kthye në programin më të dashur e të njohur.
Ky spektakël korri një sukses të jashtëzakonshëm dhe ka vulën e Arbanës e cila është e vetmja moderatore që identifikohet me këtë program në Shqipëri. Vitet që erdhën më pas janë vitet e saj të arta pasi po në të njëjtin vit me “vëllain e madh” i besohet moderimi i “E diell”, më pas “Pasdite në Top Channel” në vitin 2009, “1001 Pse” në vitin 2011, “Në 1 Javë” në 2015ën dhe “Dua të të bëj të Lumtur” në vitin 2016.
Ndonëse provoi shumë eksperienca televizive, mesa duket asnjëra nuk ngjason dhe nuk i afrohet “Big Brother-it” i cili u rikthye pas disa vitesh, kësaj radhe me konkurrentë VIP-a. Pas përfundimit me sukses edhe për këtë vit, urojmë që së shpejti ta shohim Arbanën sërish në ekran.