“AAK do të mbetet në opozitë, i takon partisë fituese të bëjë shumicën”- Haradinaj flet pas takimit me Kurtin e Osmanin. Ja kur do të mbahet seanca konstitutive

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, pas takimit me liderin e VV Albin Kurti deklaroi se i takon fituesit të zgjedhjeve të bëjë shumicën në Kuvendin e Kosovës, për formimin e qeverisë dhe zgjedhjen e presidentit.

Ramush Haradinaj theksoi se AAK do të vazhdojë të qëndrojë si parti opozitare në Kuvend.

“Ne si opozitë do të bashkëpunojmë për temat e interesit nacional, duke ruajtur vendin. Ne mendojmë se funksioni ynë është i rëndësishme në kohën që vjen, për të mundësuar ekuilibrin e institucioneve”, ka deklaruar Haradinaj pas takimit me Kurtin dhe Osmanin.

Haradinaj ka shtuar se partia fituese (LVV), duhet ta gjejë zgjidhjen për themelimin e institucioneve, duke mos e dërguar vendin në zgjedhje.

““Detyra jonë nuk është me e përkrahë koncentrimin e pushtetit, populli ia ka dhënë votën, por nuk ia ka dhënë edhe 2/3 për presidentit, është përgjegjësia e tyre t’i gjejnë. Nuk do të kthehemi në metodat e vjetra të opozitarizmit siç i kemi bërë së bashku me Albin Kurtin”, shtoi ai.

SEANCA KONSTITUTIVE MBAHET MË 22 MARS

Ushtruesja e detyrës së presidentes Vjosa Osmani, ka caktuar seancën konstituive të Legjislaturës së VIII të Kuvendit të Kosovës më 22 mars.

Seanca do të mbahet në ora 10:00, ndërsa është thënë se përgatitjet për mbajtjen do të kryhen konform procedurave në fuqi.

“U.d. Presidentja Vjosa Osmani, në pajtueshmëri me Kushtetutën e Kosovës dhe legjislacionin në fuqi, pas certifikimit të rezultateve nga KQZ-ja, ka caktuar për datën 22 mars (e hënë) seancën konstituive të Legjislaturës VIII të Kuvendit të Kosovës, të dalë nga zgjedhjet e 14 shkurtit. Kjo seancë do të mbahet në orën 10:00, teksa përgatitjet për mbajtjen e saj do të kryhen konform procedurave në fuqi”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Author: admin