Momenti i turpshëm i eksodit shqiptar që sot nuk e përmendin as Rama, as italianët

Kryeministri Edi Rama u prit me mjaft nderime në fundjavë në brigjet italiane. Ministri i Jashtëm Luigi Di Maio nuk i kurseu fjalët e bukura në ceremonitë me rastin e 30-vjetorit të eksodit të shqiptarëve me anije drejt brigjeve të shpresës. Në javën e parë të marsit 1991 brenda 30 orësh në portin e Brindisit u ankoruan rreth 24 mjete lundruese, anije dhe peshkarexha. Ishin mijëra shqiptarë që pas një kalvari vuajtjesh ia dolën të mbërrin në perëndim.

Por ndryshe do të ishte në historia pak muaj më pas.

Më 8 gusht 1991, anija shqiptare e mallrave “Vlora”, mbërriti në portin e Barit, e tejmbushur me refugjatë nga Shqipëria. Ishte nisur nga Durrësi dhe pothuajse karburanti kishte mbaruar. Fillimisht u mundua të hedhë spirancën në Brindisi, por nuk u pranua nga autoritetet u drejtua për në Bari.

Në bord kishte edhe njerëz të armatosur, përveç emigrantëve në arrati nga regjimi komunist gati gjysmëshekullor. Anija kishte mbërritur në portin e Durrësit nga Kuba plot me sheqer dhe shkarkimi nuk arriti të përfundonte kur u rrethua nga një “det njerëzish”. Komandanti i anijes tha se u kërcënua me thika që të riniste lundrimin drejt Italisë.

Gazetat e 9 gusht 1991 gazetat shkruanin se bëhej fjalë për 11 mijë persona, ndërsa në kronikat e sotme flitet për 20 mijë. Fotografitë e famshme të Luca Turi dhe Vittorio Arcieri janë tronditëse dhe kanë përjetësuar edhe njerëz që pas mbërritjes në port, janë hedhur në ujë nga anija.

Ishte ora 11.30 kur pjesa më e madhe kishte arritur të zbriste në platformë. Temperaturat ishin përvëluese. Shqiptarët kërkonin bukë dhe ujë. Anija “Vlora” ishte kthyer në një nevojtore me erë të keqe.

Policia italiane merr vendim që të gjithë shqiptarët e t’i fusë në stadiumin e vjetër të qytetit derisa të merret një vendim. Kryeministri i kohës Giulio Andreotti doli në një deklaratë duke refuzuar të mikpresë të tjerë refugjatë.

“Nuk jemi absolutisht në gjendje të mirëpresim shqiptarët që po dynden në brigjet italiane dhe vetë qeveria e Tiranës është dakord me ne që ata duhet të riatdhesohen në vendin e tyre” – tha ai.

Ajo që ndodhi në stadiumin e Barit janë të paktë ata që e kujtojnë tashmë. Për ditë të tëra shqiptarët u lanë në mëshirë të fatit. Uji dhe buka u hidhej nga helikopteri. Më të fortët arrinin të merrnin. Skenat janë të paimagjinueshme për një shtet evropian.

Author: admin