Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Përparim Kryeziu, ka reaguar për numrin e madh të votave të pavlefshme nga diaspora, ku sipas organizatës “GERMIN” thuhet se janë afro 8 mijë vota të pavlefshme.
Kryeziu thotë se “numri i madh i raportuar i votave të pavlefshme nga mërgata është dëshmia përfundimtare që procesi i votimit nga jashtë duhet të ndryshohet menjëherë”.
“E drejta për të votuar është e drejtë dhe njësi themeltare e demokracisë, për çka shteti demokratik dhe institucionet e tij kanë përgjegjësi që të gjejnë mënyrat më të përshtatshme për të garantuar ushtrimin e saj.
Procesi i votimit duhet gjithmonë të jetë i lehtë dhe inkurajues”, ka thënë Kryeziu.
Kryeziu pohon se nga 200 mijë votues të regjistruar në diasporë, një numër i vogël i votave pranohen si të vlefshme.
“Nëse nga rreth 200 mijë të regjistruar për votim nga jashtë dhe qindra euro pagesa për shërbim postar, një numër shumëfish më i vogël i tyre mbërrijnë në Kosovë me kohë, e shumëfish më i vogël numërohen si vota të vlefshme atëherë këtu problemi është sistemor e institucional.
Prandaj edhe ndërhyrja duhet të jetë e këtillë. Me t’u formuar institucionet, ndër hapat e parë që Lëvizja VETËVENDOSJE! do të ndërmarrë në Kuvend është ndryshimi i ligjit ashtu që mërgata të ketë të drejtë të votojë edhe në ambasada dhe konsullata të Republikës së Kosovës.
Bashkatdhetarët janë qytetarë të Republikës. Ata janë pjesë e pandashme e zhvillimit të vendit dhe vendimmarrjes në vend”, thotë Kryeziu