Zbardhet vjedhja me dhunë e karburantit, arrestohen katër persona të dyshuar në Krujë 19 Mars, 2021 14:44


Policia e Krujës ka zbardhur vjedhjen me dhunë në një karburant, ndërsa janë arrestuar katër persona të dyshuar si dhe është shpallur në kërkim bashkëpunëtori i tyre.

Arrestimi i tyre ka ardhur pas finalizimit të operacionit “Arrameras”.

Nga hetimet e kryera ka rezultuar se këta shtetas janë autorë të dyshuar vjedhjes me dhunë të një shume parash në një karburant në fshatin Arameras, si dhe autorë të vjedhjes së tre motomjeteve, të cilët i kanë përdorur më pas për të realizuar vjedhje të tjera, kryesisht vjedhje parash në pika karburanti.

Njoftimi i plotë:

Finalizohet operacioni policor i koduar “Arrameras”.

Operacioni i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Krujë, në bashkëpunim me strukturat e DVP Durrës, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë.

Vihen në pranga 4 shtetas, shpallet në kërkim bashkëpunëtori i tyre.

Zbardhet vjedhja me dhunë e një shume parash në një karburant.

Zbardhen edhe tre vjedhje të tjera të motomjeteve, të cilët autorët i kanë përdorur më pas për të kryer vjedhje të tjera.

Gjithashtu, gjatë operacionit janë goditur edhe dy raste të tentativës për kultivim të kanabisit.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar dy motomjete, një automjet, rreth 1000 kubikë të kultivuar me fara kanabisi, dy armë gjahu e sende të tjera.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, në bashkëpunim me strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë, në vijim të punës për zbardhjen e vjedhjeve të ndodhura më parë, si dhe për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike, bazuar në provat e grumbulluara gjatë punës hetimore, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Arrameras”, në kuadër të të cilit u kapën dhe u arrestuan shtetasit:

-D. B., 21 vjeç, banues në Magzazë, Fushë Krujë, i dënuar më parë për veprën penale “Vjedhja”;

-S. S., 17 vjeç, banues në Kameras, Fushë Krujë;

-K. M., 21 vjeç dhe A. M., 23 vjeç, banues në Thumanë.

Gjithashtu është shpallur në kërkim shtetasi H. X., 26 vjeç, banues në Larushk, Krujë, i dënuar më parë për veprat penale “Vjedhja” dhe “Armëmbajtje pa leje”.

Nga hetimet e kryera ka rezultuar se këta shtetas janë autorë të vjedhjes me dhunë të një shume parash në një karburant në fshatin Arameras, si dhe autorë të vjedhjes së tre motomjeteve, të cilët i kanë përdorur më pas për të realizuar vjedhje të tjera, kryesisht vjedhje parash në pika karburanti.

Gjatë operacionit, në banesën e shtetasit K. M. dhe të shtetasit A. M. (kushërinj), janë gjetur rreth 1000 kubikë të kultivuar me fara kanabisi.

Në cilësinë e provave materiale u sekuestruan veshje të përdorura nga autorët për të kryer vjedhjet, 1 automjet tip “Fiat”, 2 motomjete, rreth 1000 kubikë me fidanë të bimës narkotike cannabis sativa, 1 armë gjahu teke dhe 1 armë gjahu shotgan, 3 aparate celular dhe sende të tjera.

Nën drejtimin e Prokurorisë po vijon puna për zbardhjen e plotë të veprimtarisë kriminale të këtyre personave, si dhe identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Vjedhja me dhunë”, “Vjedhja” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”.

Author: admin