Zbardhet një pjesë e dëshmisë së 58-vjeçarit Koço Buzo, i cili sot paradite qëlloi për vdekje me kallashnikov gruan e tij Liljana Buzo, në sy të fëmijëve.
Autori i vrasjes është shprehur se ishte xheloz dhe se i kishte kërkuar bashkeshortes më përpara që të mos shkonte në gjykatë për të kërkuar urdhër mbrojtje për dhunë në familje. Para hetuesve ai ka thënë se më herët e ka paralajmëruar gruan se nuk do ta linte të ndahej prej tij.
“I pata thënë që; nuk ke për t’u ndarë prej meje. Donte të më fuste në burg” mësohet të jetë shprehur Koço Buzo. Pas krimit 58-vjeçari ka thënë se gruaja donte që të ndahej prej tij dhe këtu kishte nisur zanafilla e konfliktit.
Kamerat e sigurisë të bizneseve përreth filmuan gjithë skenën e rëndë të krimit që ndodhi disa metra larg Gjykatës së Elbasanit. anë pikërisht këto pamje filmike, por dhe dëshmitë e qytetarëve të pranishëm momentin e krimit, që do të ndihmojnë policinë të zbardhë dinamikën e ngjarjes.
Drejtuesja e seancës që pritej të mbahej sot e shtyu pasi ish-polici nuk ishte paraqitur në sallën e gjyqit. Rreth orës 11: 24 minuta viktima, 54 vjeçarja Liljana Buzo është larguar nga Gjykata së bashku me avokatin e saj Gëzim Toçila. Ata kanë hyrë në një rrugicë në të djathtë të godinës së gjykatës.
Nga pamjet filmike duket që autori i ndjek nga pas. Vrapon 30 metra rrugë me vrap me armën në dorë dhe qëllon me breshëri pas shpine bashkëshorten e tij. Plumbat kanë kapur dhe avokatin e saj Gëzim Toçilën si dhë një kalimtar aty pranë, Adriatik Kolën. Avokati së bashku me një kalimtar arrijnë ta ndalojnë e shtrinjë në tokë për ta neutralizuar deri në momentin kur u ka ardhur në ndihmë policia. Kur u arrestua, iu sekuestrua automatiku si dhe një thikë. Të plagosurit kanë marrë ndihmë mjekësore në spital dhe janë jashtë rrezikut për jetën.
Koço Buzo ka qenë i përjashtuar nga radhët e policisë, ndërsa njihet si person i dhunshëm dhe përdorues alkooli.