Pas vizitës në Kosovë dhe takimet me krerët e institucioneve kosovare, Përfaqësuesi special i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, dhe Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Matthew Palmer, sot po qëndrojnë në Beograd, ku janë takuar me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
Presidenti serb e ka vlerësuar takimin si të mirë, duke thënë se së shpejti do të vazhdohet dialogu me Kosovën e se beson në mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje kompromisi.
“Bisedë e mirë me përfaqësuesin special të BE-së për dialogun Beograd – Prishtinë dhe çështjet tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak dhe me përfaqësuesin special të Departamentit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer. Së shpejti vazhdimi i dialogut me Prishtinën dhe besoj në një mundësi për arritje të një zgjidhjeje kompromisi”, ka shkruar Vuçiç në Instagram.
Edhe kryeministrja serbe, Ana Brnabiç, ka zhvilluar takim me Zëvendës Ndihmësin e Sekretarit amerikan të Shtetit, Matthew Palmer.
Një deklaratën e Qeverisë serbe është thënë se kryeministrja Brnabiq ka deklaruar gjatë bisedës se është e nevojshme të zbatohen marrëveshjet e arritura në Bruksel, para së gjithash ajo për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.
“Beogradi ka përmbushur të gjitha detyrimet e tij dhe ne presim ta shohim atë nga pala tjetër, në mënyrë që dialogu të ketë kuptim. Njëra prej tyre është çështja e gjetjes dhe identifikimit të personave të zhdukur, dhe ne jemi plotësisht të përkushtuar në zgjidhjen e plotë të kësaj çështjeje”, ka thënë Brnabiç.
Sipas deklaratës, Palmer ka theksuar se Shtetet e Bashkuara mbështesin dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe rolin e të dërguarit special Mirosllav Lajçak në këtë proces, si dhe ka vlerësuar “fokusin e Beogradit dhe presidentit Aleksandar Vuçiq në bisedimet me Prishtinën”.