Disa ditë pas vrasjes së 27 vjeçarit Mehmet Qema në zonën e 5 majit në Tiranë, policia e Shtetit është kthyer sërish sot për kontrolle në ambientet e marra në pronësi nga shtetasi me inicialet K.GJ, shok me viktimën dhe autorin e vrasjes Marjus Dema.
Policia po bën kontrolle në magazinat që ndodhen në afërsi të lokalit në lagjen “5 Maji”, për të parë nëse aty ka prova që të çojnë në një veprimtari të jashtëligjshme me të cilën merreshin të rinjtë.
Mësohet se policia ka shpërthyer me forcë një derë të një prej magazinave, ndërsa ka pak detaje nëse është gjetur apo jo ndonjë provë që mund të hedhë dritë mbi aktivitetin e mundshëm kriminal të të rinjve.
Në ditën e vrasjes në katin e dytë të ambientit ku u vra Qema, u gjetën disa paisje që përdoreshin për prodhimin e monedhave digjitale (Bitcoin).
Mbetet e paqartë nëse të rinjtë e kishin nisur punën për prodhimin e monedhave dixhitale, të cilat kërkojnë paisje të shtrenjta dhe mjaft energji, apo ishin ende në fazën e testimit të tyre.
Ndërkohë nuk dihet ende nëse është gjetur apo jo arma e krimit, me të cilën u qëllua 27-vjeçari, i cili njihej për shoqërinë e tij me personazhe të njohura të artit shqiptar, përfshirë reperat Stresi, Lim Hoti, apo “Baby Gee”, të cilët nuk i kursyen postimet e tyre prekëse në rrjet pas ngjarjes së rëndë.