Biznesmeni i Maltës, Yorgen Fenech është akuzuar zyrtarisht se qëndron prapa vrasjes së gazetares, Daphne Caruana Galizia. Prokurori i Përgjithshëm i Maltës ka kërkuar dënimin me burgim të përjetshëm në këtë rast.
Gazetarja, Caruana Galizia, u vra katër vjet më parë nga shpërthimi i një bombe të vendosur në makinë derisa po dilte nga banesa e saj më 16 tetor 2017.
Atentati kishte tronditur Evropën dhe menjëherë filluan të shtrohen pyetje në lidhje me sundimin e ligjit në shtetin më të vogël anëtar të Bashkimit Evropian.
Para se të vritej, ajo po hetonte për korrupsion të mundshëm të një kontrate qeveritare për ndërtimin e një termocentrali e cila i ishte dhënë biznesmenit Fenech.
Biznesmeni Fenech u arrestua në nëntor të vitit 2019 nën akuzat për përfshirje në vrasje. Tre burra të akuzuar për përgatitjen e vrasjes dhe vënien e bombës u arrestuan në dhjetor të vitit 2017.
Njëri prej tyre është dënuar me 15 vjet burgim pasi e ka pranuar fajin si pjesë e një marrëveshjeje mbi pranimin e fajësisë. Dy të tjerët janë në pritje të gjykimit.
Sipas aktakuzës, Fenech akuzohet se i kërkoi një bashkëpunëtori të tij, Melvin Theuma, të punësonte tre sulmues të cilëve do t’u paguheshin 150,000 euro për të vrarë gazetaren Caruana Galizia. Melvin Theuma, i është ofruar falje pasi ka dëshmuar për rastin.
Pas arrestimit të Fenech më 2019, brenda disa ditësh kryeministri i atëhershëm i Maltës, Joseph Muscat dha dorëheqje, pasi u raportua për lidhje të ngushta midis biznesmenit dhe zyrtarëve të lartë të qeverisë.
Muscat ka mohuar pretendimet.
Një hetim i pavarur mbi vrasjen e gazetares Galizia tha se shteti duhej të mbante përgjegjësinë për vrasjen pasi krijoi një “klimë mosndëshkimi”.
Gjatë viteve të fundit janë shënuar një sërë rastesh të sulmeve ndaj gazetarëve hulumtuesë në vendet e Bashkimit Evropian (BE).
Gazetari i shquar holandez Peter R. de Vries vdiq muajin e kaluar nëntë ditë pasi u qëllua gjatë një sulmi që dyshohet se është kryer nga rrjetet e krimit të organizuar.
Në muajin prill Greqia u trondit nga të shtënat vdekjeprurëse ndaj gazetarit hulumtues, Giorgos Karaivaz. Ai u qëllua nga sulmuesit në një motoçikletë jashtë shtëpisë së tij në Athinë.
Në vitin 2018, gazetari hulumtues sllovak Jan Kuciak dhe e fejuara e tij u qëlluan me armë në shtëpinë e tyre pranë Bratisllavës. Gjykata Supreme e Sllovakisë urdhëroi një gjykim të ri për këtë rast ndaj një biznesmeni të profilit të lartë dhe një të pandehuri tjetër.