“Ekspertë brenda dhe jashtë Partisë Demokratike kanë dhënë kontributin e tyre për programin për arsimin”, kështu është shprehur ish-deputetja e PD-së Albana Vokshi në studion e ABC përballë gazetarit Endri Xhafo.
Teksa komentoi premtimin nga lideri i opozitës Lulzim Basha, për laptop dhe tableta, ajo tha se projekti i digjitalizimit iu la kryeministrit Rama në 2013, paratë e të cilëve u zhdukën dhe nuk u pa asnjë investim sipas saj.
“Projektin e digjitalizimit ia lamë Edi Ramës në 2013 dhe paratë u zhdukën. Sot në shkollat tona duhet të ishte bërë digjitalizimi, por kur s’ke plan bën meme dhe përgojojnë gratë dhe burrat e botës”, tha më tej Vokshi.
Gjatë intervistës ajo theksoi se janë në aktivitet prej 1 viti punë, dhe se fakt sipas saj është se arsimi është një nga sektorët më të nënvlerësuar. Më tej ajo tha se brenda disa muajsh me ardhjen e PD-së në pushtet do të mund të realizohet hartimi i një ligji të ri për Arsimin e Lartë që sipas saj do të sjellë liri akademike.
“Arsimi është i nënfinancuar. Ka 28% ulje më e madhja e buxhetit për arsimin. Janë 35 milionë që humbet ekonomia shqiptare në vit, sipas UNICEF”, tha Vokshi.
Një tjetër problem që shtroi Vokshi ishte edhe mungesa e prioritetit që sipas saj kanë sjellë edhe largimin e të rinjve.
Ndërsa u pyet për arsimin profesional, ajo theksoi se qeveria aktuale ka dështuar.
Vokshi: Arsimi publik është prioritet, por privati nuk duhet lënë pas dorë. Arsimi profesional është i dështuar. Ka numër të ulët të nxënësve. Të rinjtë jo vetëm që janë në ulje, por nuk kanë mundur që të gjejnë punësim. Ne si PD në bashkëpunim me universitetin do të krijojmë kushte të përshtatshme.
Vokshi nuk la pa përmendur edhe ish-ministren Lindita Nikolla duke kujtuar mesataren e ulët të saj, ndërsa theksoi se konkurrenca e ndershme është një tjetër problem dhe për këtë fenomen -sh-deputetja tha se qeveria duhet të marrë të gjitha masat.
“Hartimi i një ligji të ri të Arsimit të lartë që do të konsultohet nga ekspertë më të mirë të fushës, brenda disa muajsh besoj se do të kemi ligj të ri. Pra duhet të ketë hapësirë për autonomi të plotë universitare, liri akademike…”, u shpreh Vokshi.
Gjithashtu Vokshi u shpreh se do të investohet në infrastrukturë për të krijuar kushte dhe standarde evropiane edhe për shkollat në fshatra.
“Do të bëjmë aq shkolla sa nevojitet, do të sigurohen kushte për të gjitha. Kemi konstatuar mungesë të ngrohjes, apo të platformave online. Kjo do të marrë fund. Do të sigurojmë që nxënësit edhe pas mësimit të kenë ndihmë nga mësues”, tha më tej ajo.