Vodafone kërkon largimin nga Shqipëria, nxjerr në shitje aksionet për vlerën e ”çmendur”, pati rënie të përdoruesve vitin e fundit

Vodafone Albania ka nxjerrë në shitje aktivitetin e vet në Shqipëri, që përfshin komunikim fiks dhe të lëvizshëm, si edhe shërbim televiziv, siç i kanë pohuar Mergermarket dy burime në brendësi të situatës. Burimi i parë tha se çmimi i deklaruar është 270 milionë euro, dhe shtoi se nuk dihet nëse Vodafone do të caktojë këshilltar financiar për këtë plan.

Visit Instagram Profile ➤

 

Hamendësohet se Vodafone do të shesë të gjitha asetet në tregjet e Europës qendrore dhe lindore, tha burimi i dytë. Vodafone është i pranishëm në Republikën Çeke, në Hungari dhe Rumani ndër vendet e Europës qendrore dhe lindore. Vetë Vodafone nuk ka pranuar të bëjë komente lidhur me këtë situatë.

 

Një arsye e mundshme e largimit është rishqyrtimi që po i bën Vodafone pranisë në tregje të vogla europiane si Shqipëria dhe Malta, dhe fokusimi tek rritja e të ardhurave në Indi, sipas burimit të parë.

 

Vodafone bëri publike në dhjetor 2019 arritjen e marrëveshjes për shitjen e 100% të aksioneve të Vodafone Malta tek Monaco Telecom për shumën e barazvlefshme me vlerën e shoqërisë prej 250 milionë euro.

 

Sipas faqes së internetit të kompanisë, Vodafone Albania është krijuar në vitin 2001, ka 398 punonjës dhe 146 dyqane në mbarë vendin, ndërkohë që mbetet e paqartë tashmë se në dorën e kujt do të kalojnë këto dyqane.

 

Tremujori i parë i vitit 2020 u mbyll me 2,58 milionë përdorues aktivë të telefonisë së lëvizshme në Shqipëri, duke shënuar 1,4% ulje krahasuar me një vit më parë, deklaron AKEP, autoriteti i komunikimeve elektronike dhe postare të vendit.

 

Vodafone Albania kryeson tregun me 1,19 milionë përdorues aktivë të telefonisë së lëvizshme, i ndjekur nga Telekom Albania me 990.670 përdorues dhe nga Albtelecom me 410.460 përdorues.

 

Vodafone njoftoi në tetor 2019 blerjen e AbCom, operatorit më të madh kabllor në Shqipëri, nga fondi privat i investimeve SEAF. Rrjeti i AbCom shtrihet në 460.000 shtëpi; kjo kompani u ofron shërbime të brezit të gjerë dhe TV me pagesë mbi 100.000 familjeve.

 

 

Author: admin