Teksa vendi ynë po përballet me një situatë tejet të rënduar pandemike, Policia e Shtetit vazhdon të ndëshkojë me mijëra qytetarë për mosrespektimin e masave andti-Covid, kryesisht për mosmbajtjen e maskës.
Vetëm fundjavën që lamë pas, 2986 qytetarë janë kapur duke shkelur rregullat anti-koronavirus, nga të cilët 2958 për mosmbajtjen e maskës mbrojtëse.
Polica ka gjobitur gjithashtu me nga 10 milionë lekë të vjetra 4 subjekte të cilat ushtronin aktivitetin e tyre në kundërshtim me protokollet e sigurisë.
Njoftimi:
Policia e Shtetit
Vijojnë kontrollet e pandërprera në të gjithë vendin, për monitorimin e zbatimit të masave për parandalimin e përhapjes së COVID-19.
Gjatë fundjavës, shërbimet e Policisë kanë evidentuar dhe ndëshkuar me masë administrative, 2986 shtetas që nuk zbatuan masat anticovid, 2958 prej tyre për mosvendosjen e maskës mbrojtëse.
Strukturat e Policisë, krahas përmbushjes së detyrave funksionale për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, vijojnë kontrollet në të gjithë vendin, për të monitoruar zbatimin e masave për parandalimin e përhapjes së COVID-19.
Gjatë fundjavës, Patrullat e Përgjithshme kanë evidentuar dhe ndëshkuar me masë administrative 3.000 lekë, 2428 shtetas që janë konstatuar pa maskat mbrojtëse.
Shërbimet e Policisë Rrugore kanë ndëshkuar me të njëjtën masë administrative, 530 shtetas që udhëtonin në mjete private me persona me të cilët nuk kishin lidhje familjare apo në mjetet e transportit publik, pa vendosur maskat mbrojtëse.
Gjatë kontrolleve në fundjavë, shërbimet e Policisë kanë konstatuar 4 subjekte që ushtronin aktivitetin në kundërshtim me protokollet e sigurisë: 1 në Tiranë, 2 në Elbasan dhe 1 në Sarandë. Për administratorin e secilit subjekt është vendosur masa administrative 1.000.000 lekë.
Gjithashtu, në të gjithë vendin janë ndëshkuar me masë administrative 10.000 lekë, 24 shtetas që janë konstatuar duke lëvizur në këmbë pas orës 20:00.
Në zbatim të masave anticovid, Policia e Shtetit apelon për të gjithë qytetarët dhe drejtuesit e mjeteve që të respektojnë orën policore, të vendosin maskën dhe të ruajnë distancimin social, ndërsa subjektet tregtare, lokalet dhe restorantet të respektojnë protokollet e sigurisë dhe orarin e mbylljes, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19.
Prej kohësh tashmë, vendi ynë po përballet me një situatë të vështire me Covid-19, duke qenë se shifrat ditore janë tepër të larta. Javët e fundit, Shqipëria ka raportuar të paktën 1000 raste të reja dhe rreth 15 vdekje çdo ditë.