TIRANË– Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, nderoi me Medaljen e Mirënjohjes së qytetit një nga figurat më të shquara të volejbollit shqiptar, trajnerin e ekipit të vajzave, Ardian Gorenca. Gjatë një ceremonie surprizë, me rastin e daljes së tij në pension, “Sport Klub Tirana” dhe kryebashkiaku Veliaj i shprehën atij mirënjohjen për kontributin e dhënë ndër vite, duke trajnuar mbi 10 breza të ekipit elitë të volejbollit të vajzave në Shqipëri.
Ardian Gorenca ka koleksionuar trofe dhe tituj të panumërt, si me ekipin e të rejave dhe me atë të të rriturave, brenda dhe jashtë Shqipërisë. Nën drejtimin e tij, ekipi i Tiranës ka qenë fitues i kampionatit kombëtar në vitet: 1992, 1994, 2008, 2009, 2010, 2013, fitues i Kupës së Shqipërisë në vitet 2008, 2012 dhe 2013, si dhe fitues i Superkupës në volejboll për femra, duke u renditur mes më të mirëve për sa i përket suksesit dhe numrit të trofeve. Bardheblutë janë gjithashtu fitues të Superkupës Mbarëkombëtare në vitin 2011.