Edhe pse KQZ vendosi të gjobisë kryebashkiakun Erion Veliaj, me argumentin se ka shkelur Kodin Zgjedhor, duket se nuk ka asnjë reflektim nga mazhoranca, lidhur me takimet që zhvillohen me banorët e prekur nga tërmeti.
Pasditen e sotme, Erion Veliaj, Edi Rama dhe Xhemal Qefalia, janë shfaqur në Zall-Herr, në oborrin e një familje, për të treguar shtëpinë që shteti i ka ndërtuar me fondet e taksapaguesve në kuadër të projetit të rindërtimit.
Pikërisht për këto lloj takimesh, të cilat përdoren për propagandë politike në favor të PS-së, pak muaj përpara zgjedhjeve, Veliaj u gjobit me 75 mijë lek të reja nga KQZ.
Gjatë takimit pasditen e sotme, Rama tha se kjo çështje “do të sqarohet”, duke i dhënë një sinjal edhe apelit, ku do të shqyrtohet vendimi për kryebashkiakun.
Kryeministri deklaroi se në këto takime nuk bëhet propagandë politike, por jepet informacion dhe tregohet “realiteti”.
Kujtojmë se takimet e Veliajt dhe Ramës me banorët e prekur nga tërmeti, transmetohen në televizionin privat të kryeministrit, ERTV dhe në televizione të ndryshme informative. Në këto shfaqje, banorët falenderojnë me dorë në zemër Edi Ramën dhe eksponentë të mazhorancës flasin për arritjet e tyre me programin e rindërtimit.
“Se nuk e kuptojnë ndoshta, por do të sqarohet kjo gjë. Këto nuk janë inagurime, ne vijmë këtu që të tjerët që presin, të shikojnë që po vazhdon puna dhe që njerëzit po futen nëpër shtëpi. Po qe puna për televizorin, në televizor nuk del puna por llafet dhe historitë e kronikave të zeza që janë të gjithë botën një minutë…
Kjo nuk është as propagandë, as inagurim, por pjesë e informimit të të tjerëve, sepse ka akoma njerëz në çadër, ka akoma në kabina, ka plot që janë nëpër shtëpi me qira, duhet ti mbajmë me informacion, t’ju tregojmë çfarë u bë dhe po bëhet, 100 shtëpi këtu, 50 atje, 70 atje dhe njerëzit shohin realitetin, sepse me fjalë është vështirë, na fusin të gjithëve me një thes. Kështu na shohin, ju shohin ju dhe kuptojnë që kjo punë vazhdon. Kjo është arsyeja që dalim ne!”, tha ndër të tjera Rama.
Me shfaqjen e sotme, KQZ do të duhet të gjobisë Veliajn, Ramën dhe Qefaliajn, nëse do t’u përmbahet të njëjtave parime të cilat ka aplikuar për të gjobitur kryebashkiakun herën e parë.
Ndërkohë pritet edhe vendimi i apelit për gjobën ndaj kryebashkiakut, i cili ditën e djeshme reagoi mjaft i acaruar me vendimin, duke sulmuar ashpër opozitën edhe pse gjoba i është vendosur nga KQZ.TPZ.al/